Gazment Bardhi refuzon të shkojë të shohë firmat te kryetari i Këshillit Kombëtar

Edhe pse e ka pak metra larg, sekretari i Përgjithshëm aktual i PD-së, Gazment Bardhi refuzon të shkojë e të shikojë 4200 firmat e mbledhura për të thirrur Kuvendin Kombëtar.

Këtë e tha ai në një deklaratë për mediat nga selia blu, gjatë së cilës ka theksuar edhe njëherë se Kuvendi Kombëtar mblidhet me ¼ e firmëtarëve.

Sipas Bardhit në zyrën e protokollit të PD-së nuk ka pasur asnjë depozitim firmash.

Ai tha se PD është institucion legal dhe se çdo kërkesë, aq më tepër e shumicës së demokratëve duhet depozituar në zyrën e protokollit.

Ai e cilësoi mbledhjen e 4.200 firmave nga lideri historik i PD-së Sali Berisha si një tallje e blof ndaj demokratëve, pasi pretendon se firmat nuk janë mbledhur.

‘Ka një shef zyre protokolli në zyrën e PD. Nuk vijnë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, regjistrohet dhe verifikohet çdo kërkesë e cilësdo, aq më tepër kur bëhet fjalë për 25% të Kuvendit të Partisë. Protokollohet çdo kërkesë, me datë dhe orë.

Nëse këto firma do të ishin firma të delegatëve do të ishin depozituar dje, e unë mora masat që punonjësit e administratës të qëndronin në punë përtej orarit zyrtar. Punonjësit e zyrës së protokollit kanë qenë në pritje të kësaj procedure.

Nuk sillen firmat nga dera prapa, qoftë edhe në shoqërinë e kamerave, me kuti të mbyllura në një zyrë që nuk është e kryetarit të Këshillit Kombëtar, zyra e tij është e ish nënkryetarit të PD. Nuk ka zyrë kryetari i këshillit. Sepse ai drejton dhe moderon mbledhjet e Këshillit Kombëtar.

Sot na u tha se vetëverifikohen, pra X do të vetëverifikojë firmën e X. Secili prej atyre që ka firmosur vetëverifikon firmën e vet’, tha Gazmend Bardhi.