'I paftuari në SHBA': Këmbanat amerikane bien sërish për pushtetin e Albin Kurtit

Në mesin e njohësve të politikës në Kosovë ka shkaktuar shqetësim lajmi se vendi nuk është ftuar në Samitin për Demokraci, që mbahet për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në datat 9 dhe 10 dhjetor. Pjesëmarrës në samit do të jenë liderë të qeverive, shoqërisë civile dhe sektorit privat, ndërsa, do të diskutohet për sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet demokracia.

Edhe pse vet kryeministri Kurti nuk ka folur ende në lidhje me mungesën e një ftese nga SHBA-ja në drejtim të vendit tonë, këshilltari i tij, Jeton Zulfaj, ka reaguar duke thënë se kjo nuk është ndonjë befasi.

Zulfaj për këtë e ka fajësuar ish-Qeverinë Hoti, duke thënë se “këtë vit rezultati i demokracisë shënoi rënie për Kosovën për shkak të instalimit jokushtetues të qeverisë Hoti në Qershorin e vitit 2020”. Ai më tej ka shtuar se qytetarët nuk kanë asnjë arsye për t’u dëshpëruar, pasi që, sipas tij, rezultatet e ndryshimeve demokratike të këtij viti do të shihen të reflektuara në raportet ndërkombëtare në vitin që vjen.

“Mbase edhe ndonjë muaj do të shihemi me raportet ndërkombëtare të 2020. Nuk është aspak befasi përse Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që radhitet më së ulëti në “Nations in Transit” nga Freedom House me 3.14 nga 7 pikë ose 36% nga 100%”

Mirëpo, ndryshe nga këshilltari i kryeministrit po mendon profesori i së drejtës ndërkombëtare publike, Afrim Hoti. 

Profesori Hoti, duke folur për Syri.net në lidhje me këtë temë, tha se ende zyrtarisht nuk dihet arsyeja pse nuk kemi Kosovën pjesëmarrëse në këtë Samit të Demorkacisë, mirëpo, mungesa e saj duhet të jetë një reflektim për qeverinë. 

"Sido që të jetë, mungesa e autoriteteve kosovare, e qeverisë në këtë rast, në forumin për demokraci, ose në evenimente të tilla pa asnjë dilemë është një hendikep i madh. Dhe mendoj që në diskursin në të cilin po flasim tash, ka gjëra që duhet të përmirësohen sepse demokracia në fund të fundit nuk është çështje e qejfeve të klasave apo elitave politike të caktuara. Është çështje e standardave që duhet të ndiqen pavarësisht kush e merr pushtetin. Pikë bazë, raporti Kosovë-Serbi e ku përfshihet edhe Bosnja e Hercegovina mendoj se është sinjal i qartë që këto tri vende duhet të vetëdijësohen, duhet të deklarohen e të japin më shumë përkushtim në mënyrë që t'i kontribuojnë shtetit dhe demokracisë" shprehet profesori i së drejtës ndërkombëtare publike, Afrim Hoti për Syri.net.

Ndërsa, ish ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka deklaruar se mosftesa nga SHBA-të ka qenë një befasi jo e këndshme, duke shtuar se është për keqardhje se pse vendi ynë nuk është ftuar në Samitin e Demokracisë.

“Në fillim ishte befasi jo e këndshme, sepse SHBA jo vetëm që na kanë ftuar ndër të parët në organizime të tilla në të kaluarën, por kanë ndikuar edhe te shtetet tjera që kur nuk na kanë ftuar që të sigurojnë një ftesë për Kosovën. Është për keqardhje që nuk jemi ftuar, sepse siç duket raportet me SHBA-në fatkeqësisht janë në pikën më të ulët. Duke pasur parasysh se ne jemi krijesë e SHBA-së dhe kemi pasur mbështetjen e patundur në të gjitha fazat e zhvillimit në Kosovë, duke përfshirë periudhën para lufte, ku SHBA ka luajtur një rol kyç në përkujdesjen e popullit të Kosovës në një kohë kur ne pothuajse ishim në një gjendje të pashpresë, nën regjimin serb, nën presionin e tmerrshëm etj. Por, edhe gjatë periudhës së pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, SHBA ka qenë me ne në çdo hap. Tani kemi arritur në një pikë ku më nuk na bëjnë përshtypje”, është shprehur Spahiu.

Duke folur për raportet Kosovë - SHBA, Spahiu theksoi se mosftesa për samit është alarm për raportet, duke numëruar tri arsye pse kanë ardhur gjërat deri në këtë pikë.

“Ka disa faktorë, kemi parë disa lëvizje jo fort të matura të Qeverisë, siç është projekti i gazit, që është në interes gjeostrategjik të SHBA-së dhe ne treguam një injorim, jo vetëm që s’e pranuam, por edhe që e kaluam shumë shpejtë. E dyta, është një farë lloj qëndrimi jo fort i gatshëm për tu angazhuar në procesin e dialogut në mënyrë më konstruktive. E treta është hezitimi për të pranuar marrëveshjen e Donald Trump midis dy vendeve, që ishte në Washington që u nënshkrua nga pala amerikane dhe nga të dyja palët që ishin atje. Dhe zgjedhja jonë që të kemi një pranim selektiv të pikave të asaj marrëveshje”, ka potencuar ai.

Ish-ambasadori deklaroi se Kosova nuk e ka luksin që të përzgjedhë se cilat pika të marrëveshjes së arritur në Washington do t'i zbatojë, pa marrë parasysh se marrëveshja është arritur nga një qeveri e mëparshme. Pavarësisht situatës së krijuar, Spahiu vlerëson se SHBA nuk do të hakmerret në të ardhmen ndaj Kosovës, duke shtuar tutje që liderët kosovarë duhet të gjejnë mënyra për rregullimin e raporteve.

Kurse raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, përmes rrjetit social Twitter ka shkruar se Kosova meriton të jetë pjesë e Samitit të Demokracisë, e organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mos ftesën e Kosovës, Eurodeputetja Cramon e ka cilësuar si gabim i presidentit amerikan, Joe Biden. “Unë pajtohem që Kosova e meriton të jetë në Samitin e Demokracisë, por nuk e kuptoj se cilat arsye sigurie e pengojnë pjesëmarrjen e Kosovës. Ky është padyshim një gabim i administratës Biden, i cili, shpresojmë se ende mund të korrigjohet”, shkroi ajo, duke e rishpërndarë deklaratën e analistit politik kosovar Agon Maliqi, i cili ditë më parë në Twitter kishte shkruar se Kosova meriton të jetë një nga pjesëmarrësit në këtë samit.

Mungesa e Kosovës konsiderohet arsye për reflektim nga analisti Ilir Ibrahimi.

“Presidentja, brenda pak javësh ishte dy herë në SHBA dhe nuk e takoi asnjë zyrtar të administratës.
Kryeministri i cili kishte deklaruar se do të vizitojë SHBA në nëntor, e anuloi vizitën për shkak sipas disa burimeve, nuk arriti të sigurojë ndonjë takim me administratën. Qeveria e Kosovës urgjentisht duhet të ndërrojë kurs dhe t’i kthehet ndërtimit tashmë të cënuar të marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor”, ka shkruar ai në Facebook.

Edhe për një tjetër analist, Agon Maliqi, mospërfshirja e Kosovës është sinjal shumë i keq për nivelin e marrëdhënieve dhe duhet të lexohet si “këmbanë alarmi”.

Syri Kosova ka kontaktuar zëdhënësin e qeverisë, Përparim Kryeziu, për të marr një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje, por ai nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se është në pushim.

Çfarë do t’ju kërkojë Amerika shteteve që i ka ftuar?

100 shtete janë ftuar në Samitin e Shtëpisë së Bardhë për Demokraci. Ky samit mbahet nga data 9 deri më 10 dhjetor të këtij viti, shkruan Departamenti amerikan i Shtetit. ShBA do t’ju kërkojë shteteve të ftuara dhe pjesëmarrësve që t’i bëjnë demokracitë e tyre më të përgjegjshme dhe të forta, “për të ndërtuar një komunitet më të gjerë partnerësh të angazhuar për një përtëritje globale demokratike”.

Çështjet që do të shtyhen përpara janë: “përforcimi i qeverive llogaridhënëse, zgjerimi i mundësive ekonomike, mbrojtja e të drejtave njerëzore dhe lirive fundamentale dhe mundësimi i jetëve me dinjitet”./Syri Kosova.