Yuri Kim kundër Soreca-s: Nuk ulem për kafe me Sali Berishën po e votuan demokratët!

Ndryshe nga qëndrimi zyrtar i delegacionit të BE-së që kanë deklaruar hapur se do të bashkëpunojnë me këdo që zgjidhet në krye të PD-së, sot ambasadorja Yuri Kim doli kundër qëndrimit të BE-së duke u shprehur se “nëse Berisha zgjidhet në krye të PD-së nga votat e demokratëve ajo nuk do të pinte kafe me të”.

Në një intervistë për Top Channel, ambasadorja Yuri Kim u pyet për qëndrimin e saj në rast se Sali Berisha zgjidhet nga demokratët në krye të PD në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Çfarë ndodh në marrëdhënien tuaj me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?
Ambasadorja YuriKim: Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur.

A e mbështet SHBA kryetarin e PD, Lulzim Basha?
Ambasadorja YuriKim: Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj z. Basha në cilësinë e tij si kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë.

A do të kemi shpallje të tjera non-grata? A do të përfshihen edhe ndëshkimet nga Departamenti i Thesarit?
Ambasadorja YuriKim: Kemi një numër mjetesh në dispozicion të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara – shpalljet nga Departamenti i Shtetit, shpalljet nga Departamenti i Thesarit, si dhe të tjera. Ndaj, të shohim. Është proces shumë i mbyllur, pra shumë konfidencial dhe nuk kam ndonjë informacion që mund ta ndaj me ju këtë moment.

***

Por ndryshe nga Yuri Kim, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca nuk e mohoi bashkëpunimin me Sali Berishën, nëse ai zgjidhet kryetar i PD, pavarësisht nga vendimi i sekretarit të shtetit, Antony Blinken.

Luigi Soreca tha se ambasada e BE nuk e ka ndaluar komunikimin me politikanët shqiptarë në asnjë moment, e madje as në kohën kur opozita dogji mandatet parlamentare dhe braktisi Kuvendin.

"Ne punojmë me të gjitha forcat politike, ne kemi bashkëpunuar me PD edhe kur ajo ishte jashtë Kuvendit, dhe ne do të ndjekim zhvillimet brenda partisë, asgjë nuk do të ndryshojë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat politike", tha Soreca pak ditë më parë.

Burime të informuara bëjnë me dije për SYRI-n edhe një fakt tjetër sipas të cilit shumica e amabasadorëve të BE-së të akredituar në Tiranës janë shumë të pakënaqur nga ndërhyrjet e znj. Yuri Kim dhe qëndrimet e saj nga opozitës shqiptare.

Kjo bëhet akoma edhe më e besueshme po t'i referohesh faktit që deri tani asnjë ambasador i vendeve të BE-së në Tiranë nuk ka përkrahur qëndrimet e ambasadores Yuri Kim, ndaj opozitës në Shqipëri.