VIDEO-SYRI TV/ KLSH: Fatura nga arbitrazhet 388 mln euro, por gjoba pritet të rritet sërish

Shteti shqiptar do duhet të paguajë të paktën 388 milionë euro gjobë pas humbjeve në gjykatat ndërkombëtare dhe arbitrazhet. Kjo faturë mund të rritet akoma më shumë pasi, sipas një raporti të KLSH-së, janë ende pa u gjykuar edhe 5 çështje të tjera gjyqësore në gjykatat ndërkombëtare

SYRI TV

Fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020, evidentoi Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në një raport për Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas revistës ekonomike 'Monitor', shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore. Nga këto rezultoi se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje, ndërsa 5 prej tyre presin gjykimin pranë këtyre gjykatave.

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se në 5 çështje në vlerën 388,479,560 euro janë vendime në disfavor të shtetit shqiptar, ndërsa në 4 çështje në vlerën 10,651,257 euro janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse dhe vendimi ka rezultuar në favor të shtetit shqiptar, sipas KLSH.

KLSH vërejti se për këto çështje, Avokatura e Shtetit nuk disponon informacion mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit. Njohja e vendimeve të këtyre proceseve gjyqësore pranë këtyre gjykatave i hap rrugë njohjes së të drejtës për rimbursimin e kostove të paguara më parë nga shteti shqiptar gjatë procesit gjyqësor.

Nga ana e saj në raportin e mes vitit të Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me detyrimin total të akumuluar për Arbitrazhet Ndërkombëtare raportoi një vlerë prej 109.5 milionë eurosh.

Sipas Monitor, në raportin vjetor të vitit 2020, nga Ministria e Financave raportohet se vlera e paguar për arbitrazhet më 2020 ishte vetëm 33.3 milion lekë.