'Jeni zog me dy krena'/ Rama tallet me opozitën dhe shpërthen në të qeshura

Deputeti i Partisë Demokratike, Arbi Agalliu po fliste në sallën e kuvendit për rishikimin e buxhetit 2021 dhe po kritikonte borxhet e mëdha që ka marrë qeveria, kur kryeministri Edi Rama nuk e ka mbajtur veten por ka shpërthyer në të qeshura.

Në nisje të fjalës së tij, deputeti Agalliu i është përgjigjur dhe Taulant Ballës i cili bëri ironi me opozitën, duke i thënë të përgatiten për zgjedhjet e 2029 se ato të 2025 i kanë të humbura, si edhe i kërkoi me ironi Bashës që të vijë të flasë në Foltoren e Parlamentit në mungesë të Foltoreve të tjera.

Kurse kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet akuzave të Partisë Demokratike për çështjen e buxhetit dhe borxhit publik duke i sulmuar dhe kujtuar qeverisjen deri në 2013. Rama tha në foltoren e parlamentit se PD e la borxhin publik 74%, ndërkohë që nuk kishte as epidemi dhe as tërmet.

Ai ka ironizuar edhe me situatën aktuale në PD.

"Borxhi është më i lartë dhe ka një pse, dhe kjo lidhet me faktin se kanë ndodhur tërmeti dhe pandemia, që kanë çuar në nevojën imediate për të marrë borxh, borxhin që ju u latë shqiptarëve ishte 74% dhe nuk kishte as tërmet e as pandemi, kur flisni ju për ato që flisni, është vërtetë për t’u admiruar është guximi që ju harroni se nuk keni ardhur nga hëna dhe as nuk keni ardhur në Shqipëri ditën që nisi kjo legjislaturë, ju keni qenë këtu, protagonistët e qeverisjes i keni këtu në të dyja krerët e zogut që përpëlitet se tani është e formalizuar që PD është një zog 2-krenar që përpëlitet, por jo shqiponjë, nuk e di se kujt do i ngjaj në fund, por jo shqiponjës”, tha Rama.