FOTO/ GJKKO nuk pranon provat e dorëzuara për pasurinë, mjeku Edvin Prifti: Ndaj meje po bëjnë inkuizicion

Mjeku i njohur kardiolog Edvin Prifti ka kërkuar rikthimin e shumës së sekuestruar nga policia gjatë kontrolleve në shtëpinë e tij dhe në llogarinë bankare. Por Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit në mënyrë të çuditshme ka rrëzuar këtë kërkesë.

Nga pala mbrojtëse e mjekut të njohur kanë shpjeguar situatën para, gjatë dhe pas vendimmarrjes nga Gjykata. 

Avokati mbrojtës Henrik Ligori kërkoi nga GJKKO të shqyrtonte provat që dokumentojnë se burimi i të ardhurave të tij është i ligjshëm, bazuar te rezultatet e auditit. 

Ndërsa mjeku Prifti ka deklaruar se gjyqtarja Etleva Dedja ka bërë ndaj tij jo drejtësi, por inkuizicion. 

“Ne bëmë një auditim zyrtar i cili vlerësoi 195 mln lekë të ardhura të ligjshme në punën time jashtë dhe brenda vendit në privat përveç shpenzimeve të jetesës”.

“Ky auditim u paraqit në GJKKO para dy javësh dhe sot ishte seanca. Çuditërisht raporti i auditimit me dosjen e dokumentave nuk ishin parë nga gjykatësja Etleva Dedja e cila kishte lënë seancën pa parë asnjë dokument. Kur ne i thamë që në kërkesën e bërë ishin specifikuar këto dokumente atëherë tha që duhet të shikojë në Sekretari.

Solli dosjen dhe me pas mori vendimin që të mos pranonte provat. Pra një gjykatë që nuk pranon prova është një inkuizicion. Në përfundim na e dorëzoi dosjen dhe tha që nuk marr në dorëzim prova por mund tia çoni SPAK-ut ndërkohë që vendimin e sekuestros e ka marrë vetë GJKKO”.

"Pra kemi një gjykatë që nuk pranon prova ligjore. Kjo ka ndodhur sot dhe një gjë të tillë unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë në asnjë sistem drejtesie të një vendi demokratik. Ngritëm dyshimin dhe bën sekuestron, iu çojmë provat dhe nuk i pranojnë, iu bëjmë kërkesë për të bërë hetimin tim pasuror në Itali dhe Kanada dhe nuk e pranojnë. Pra me një fjalë unë heretiku kam përballë 'Inkuizicionin e Torquemades' veçse me 6 shekuj diferencë?!", deklaron mjeku i njohur Edvin Prifti.