Në koncertin e tij u vranë të paktën tetë persona, ngrihet padi kundër reperit Travis Scott

Një padi është ngritur kundër reperit Travis Scott, gjatë performancës së të cilit në festivalin në Hjuston u vranë të paktën tetë persona.

Një nga vizitorët, i cili u plagos në festivalin Astroworld, përveç Scott, paditi edhe organizatorët e festivalit, kompaninë Live Nation.

Padinë e ka ngritur Manuel Suza, i cili ka pësuar “lëndime të rënda trupore” dhe kërkon një milion dollarë nga reperi Travis Scott dhe organizatori Live Nation.

Asnjë nga të pandehurit nuk ishte i disponueshëm për koment, sipas Zërit të Amerikës (VOA) .

Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur nga rrëmuja, për të cilën ende nuk dihet arsyeja përse është krijuar.

Mes të vdekurve kishte adoleshentë të moshës 14 dhe 16 vjeç.

Shefi i policisë së Hjustonit, Troy Finer, tha se departamenti i vrasjeve dhe narkotikëve po heton një krim të mundshëm, pas akuzave se vizitorëve u ishte injektuar drogë.

Një nga punonjësit e sigurisë në festival tha se ndjeu një pickim në qafë.

I ra të fikët dhe ambulanca e riktheu duke i injektuar Narkan – i cili jepet pas një mbidoze. Narkan iu dha edhe vizitorëve të tjerë, njoftoi policia.

Ata qe vdiqën midis moshës 14 dhe 27 vjeç.

Houston Chronicle identifikoi viktimën më të re si Josh Higert, një nxënës i shkollës së mesme që erdhi herët në koncert për ta ndjekur nga rreshti i parë.

Ai erdhi në koncert me një shok dhe nëna e tij i bleu një biletë për ditëlindjen e tij.

Një tjetër viktimë është 27-vjeçari Denish Beig, i cili po përpiqej të mbronte të fejuarën e tij në rrëmujën që u bë.

Kaosi ka ndodhur në ditën e parë të festivalit, kur publiku filloi të nxitonte drejt skenës rreth orës 21:00 me orën lokale, gjë që shkaktoi panik.

Por reperi Travis Scott vazhdoi koncertin pavarësisht incidentit dhe e përfundoi atë 40 minuta më vonë.

Scott njoftoi në rrjetet sociale se “nuk mund ta imagjinonte seriozitetin e situatës në atë moment”.