Ngjarja e rëndë në shkollën e Pogradecit, Kushi: Drejtori do të përgjigjet përpara drejtësisë

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi reagon përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me ngjarjen e rëndë në një shkollë 9-vjeçare në fshatin Stropckë të Pogradecit, ku drejtori i institucionit arsimor dyshohet se ka ngacmuar 2 nxënëse të mitura.

Kushi deklaroi se drejtori i kësaj shkolle do të marrë përgjigjen e duhur përpara drejtësisë dhe se institucionet arsimore nuk do të kenë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve.

 ‘Drejtori i shkollës në fshatin Stropckë të Pogradecit do të përgjigjet përpara drejtësisë dhe sigurisht do të marrë dënimin e merituar, sepse në institucionet tona arsimore nuk do të ketë kurrë vend për njerëz që guxojnë të dhunojnë pafajësinë e fëmijëve tanë, qoftë edhe vetëm me fjalë apo mesazhe.

Por kjo ngjarje thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e lartë që ka shërbimi psiko-social në shkollat tona, i cili ndihmoi që rasti të identifikohet, trajtohet dhe referohet në institucionet kompetente, duke parandaluar degradimin e mëtejshëm apo ndonjë rrezik të mundshëm abuzimi e dhune ndaj të miturve’, shkruan mes të tjerash ministrja.