Po shkëlqejnë në La Liga dhe në Austri, Reja lë jashtë Ivan Balliun dhe Xhakomo Vrionin

Padyshim, trajnerët e kombëtareve në të gjithë botën ngjallin diskutime me listat e lojtarëve të thirrur në eliminatore.

E siç duket edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka krijuar debate me futbollistët e grumbulluar së fundmi për ndeshjet kualifikuese të Botërorit.

Lënia jashtë e lojtarëve si Xhakomo Vrioni dhe Ivan Balliu, ka zhgënjyer shumë sportdashësit, të cilët nuk kanë nguruar ta kritikojnë teknikun italian.

Të dy futbollistët kanë zhvilluar paraqitje të shkëlqyera me skuadrat e tyre respektive, duke marrë vlerësime të shumta. Vrioni ka qenë protagonist tek skuadra e Tirol në Austri, teksa në tre ndeshjet e fundit ka tundur rrjetën plot 3 herë. Sulmuesi 23 vjeçar me golin e shënuar ndaj kampionëve të Austrisë së Vjenës në ndeshjen e fundit, i dhuroi një pikë skuadrës së tij.

Nga ana tjetër, Balliu, me paraqitjet e zhvilluara, ka ndihmuar skuadrën e tij Rayo Vallecanon tw renditet në vendin e 6-të në një kampionat si La Liga.

Mbrojtësi ka qenë titullar i padiskutueshëm në ndeshjet e fundit, teksa në sfidën ndaj Barcelonës, luajti për 90 minuta dhe ndihmoi skuadrën e tij të dilte me tri pikë nga ky takim.

Ndoshta Reja ka informacione që ne nuk i dimë, por lënia jashtë e këtyre dy futbollistëve kërkon shpjegim.