Ryshfet 3 mijë euro për t’i shpëtuar burgut/ Pranga të riut në Gjirokastër, përplasi këmbësoren në 2019

Është arrestuar nga policia Thanas Papadhimitri, 30-vjeç nga Gjirokastra, pasi akuzohet se përmes avokatit ka korruptuar prokurorin dhe gjyqtarin, për t’i shpëtuar dënimit pasi shkaktoi një aksident në qershor të vitit 2019.

Policia njofton se ai është dënuar me 12 muaj burg për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugorë”.

“Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër bënë ndalimin shtetasit Thanas Papadhimitri, 30 vjeç, banues në Gjirokastër. Ky shtetas është dënuar me 12 muaj burg në bazë të vendimit të  Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugorë”.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Aksidenti ka ndodhur në qershor 2019, ku mbeti e plagosur një e moshuar e cila humbi shikimin në syrin e majtë.  Autori i aksidentit, Thanas Papadhimitri, u largua nga vendi i ngjarjes dhe sipas dokumenteve të publikuara asokohe në emisionin “Stop”, u mundua të manipulonte provat.

Thanas Papadhimitri zgjodhi si avokat mbrojtës Shpëtim Meçin dhe ky i fundit i premtoi, se me një ryshfet prej 3000 Eurosh do ta mbyllte këtë çështje.Sipas Meçit, 1500 Euro ishin për prokurorin Julian Cafka dhe 1500 të tjera për gjyqtarin.