VIDEO/ 'Open Balkan'?! Sikur Serbia t'u thotë firmave të veta jo mall, as punonjës shqiptarë... Si Kina me Walmart

"Në vitin 1996 në Kinë, Walmart hapi në Shenzhen për herë të parë marketin amerikan. Ç’ndodhi?! Për dy ditë, Walmart u vizitua nga 60 mijë vizitorë. Mirëpo, qarkullimi qe aq minimal sa u blenë vetëm çikërrima, ç’ka ngriti pikëpyetje. Ishte  pikëpyetje, se Partia Komuniste e Kinës i kishte thënë popullatës se këta janë imperialistë dhe nuk duhet blerë malli i tyre!”

Me këtë shembull kaq konkret e shpjegoi z. Burim Piraj, ekspert i financave ndërkombëtare, se çfarë duhet të presin qytetarët dhe bizneset e Shqipërisë, dhe Kosovës nga nisma “Open Ballkan” e promovuar nga Kryeministri Edi Rama.

Z. Piraj, edhe biznesmen në Kosovë, nuk ka ngurruar ta vlerësojë maksimalisht nismën “Open Ballkan” në aspektin ekonomik, por ai e sheh të pamundur për të funksionuar në kushtet kur Serbia përmes saj ushtron politikën e vet, “botën serbe”.

I ftuar sot në studion e “Kafe Shqeto”, z. Piraj theksoi në një intervistë se "sa i përket pjesës ekonomike, Open Ballkan do të jetë shumë e mirë nëse nuk do të ketë prapavijë politike! Ai argumentoi se pse gjykon se “kjo është një lojë serbe, e cila do ta futë Shqipërinë, Kosovën, por edhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë që për këtë arsye po hezitojnë t’i bashkohen Open Ballkan, t’i fusë nën hegjemonizmin serb.”

INTERVISTA ME Z. PIRAJ NË STUDION E KAFE SHQETO:

Dori: Z. Piraj, Cilat janë benefitet ekonomike të iniciativës “Open Balkan”, duke iu referuar një deklarate që bëri kryeministri Rama që tha se Procesi i Berlinit nuk ia doli mbanë? Si specialist i financave ndërkombëtare, çfarë pati Procesi i Berlinit që nuk funksionoi dhe sa përparësi do të sjellë për biznesin vendas, Open Ballkan, sipas asaj që dëgjuam dje në Beograd?

Burim Piraj: Ne vendet e rajonit kemi pasur një eksperiencë shumë të veçantë në kuadër të CEFTA-s dhe kemi parë se aty në CEFTA, përkundër traktatit të nënshkruar, nuk janë zbatuar të gjitha nenet dhe shpeshherë, jo shpeshherë por Serbia kurrë - nuk e ka zbatuar traktatin e CEFTA-s.

Dori: Pse nuk e zbatonte traktatin, nuk kishte përparësi për ekonominë e Serbisë?

Burim Piraj: Ka pasur barriera të shumta jotarifore, të cilat, CEFTA nuk ka qenë asnjëherë si organizatë në gjendje t’i eliminojë. Edhe sot e kësaj dite, barrierat vazhdojnë, edhe sot e kësaj dite Serbia nuk e njeh Kosovën dhe Serbia i bën barrierat të atilla që e pamundësojnë biznesin kosovar të jetë prezent me prodhimet e veta në Serbi. Unë mendoj se i njëjti fat do të jetë edhe me Open Ballkan. Mirëpo, ajo që mua, shumë më brengos…

Flavio: Përtej paragjykimit në nivelin politik, z. Piraj, do të donim të dinim një shpjegim praktik se pse qasja e Serbisë mund të jetë qasja më e mirë që na ka ndodhur apo ndoshta gjëja më e keqe.

Burim Piraj: Sa i përket asaj pjesës ekonomike, Open Ballkan do të jetë shumë i mirë nëse nuk do të ketë involvime, prapavijë politike! Unë mendoj se Open Ballkan ka prapavijë politike, përderisa partia e Vuçiçit e promovon botën serbe “serbie skiet” dhe i thotë popullit serb se ne duhet të jemi në një botë serbe dhe e promovon botën serbe politikisht e  nga ana tjetër e promovon Open Ballkan ekonomisht. Atëherë, unë e kam një farë mendimi se kjo është një lojë serbe e cila do ta futë Shqipërinë, edhe Kosovën, por edhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë ( për atë arsye shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë po hezitojnë t’i bashkohen Open Ballkan) do t’i fusë në atë hegjemonizmin serb.

Unë do t’ua jap një shembull konkret. Në vitin 1996, në Kinë, Walmart hapi në Shenzhen për herë të parë marketin e Amerikës. Ç’ndodhi?! Për dy ditë, në weekend, Walmart u vizitua nga 60 mijë vizitorë. Mirëpo, për atë kohë që u vizitua nga 60 mijë vizitorë, qarkullimi qe aq minimal sa u blenë vetëm çikërrima, ç’ka ishte në pyetje. Ishte në pyetje se Partia Komuniste e Kinës i kishte thënë popullatës se këta janë imperialistë dhe nuk duhet blerë malli i tyre!!!

Të njëjtën gjë zbaton Serbia.  Serbia, sikur në mënyrë interne t’ju thotë firmave të veta të mos e mbajnë mallin e Shqipërisë dhe të Kosovës, besoni se nuk do të ketë firmë të vetme serbe që do të importonte qoftë edhe një gram mall nga Shqipëria ose Kosova.

Ata e kanë një politikë të tillë interne, që e zbatojnë. Ata dinë ta zbatojnë shumë mirë dhe ish-Jugosllavia e di këtë stil të hegjemonizmit serb. Ai në të njëjtën mënyrë i mban strukturat paralele në Kosovë dhe në të njëjtën mënyrë i bën të gjitha punët.

Kur flitet për punësim që po flitet në Open Ballkan se “në vitin 2022 do të fillojë punësimi i hapur” dhe do të punësohen nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia  pa probleme, sa herë që nuk do të dojë Serbia të punësojë dikë nga Shqipëria, nuk do t’ia pranojnë diplomën ose probleme të tjera, do të ketë ndikime interne të tjera të këtij stilit “mos e punëso, mos guxo ta punësosh” e askush nuk do t’ia dijë dhe shqiptarët mund të punësohen vetëm si punëtorë krahu, mund të bëjnë pastrimin e qyteteve dhe punët e tjera që nuk i duan serbët…

Dori: Do të shndërrohemi në vasalë të serbëve pastaj, detyrimisht.

Burim Piraj: Sigurisht, kjo është ajo që do Serbia. Përndryshe, në qoftë se Open Ballkan do të ketë qëllimin e mirë dhe me të vërtetë Serbia do të jetë e hapur ashtu sikur duan të jenë të hapur të tjerët, atëherë ka beneficione shumë të mëdha. Mirëpo…

Dori: A ka shanse të jetë kështu, që Serbia të jetë e hapur dhe dashamirëse?

Burim Piraj: Nuk duhet të bëjmë gabimin e njëjtë siç bëmë në CEFTA, se në CEFTA nënshkruam nënshkruan traktatin për tregti të lirë dhe pastaj ata, për të eksportuar në Serbi ose në Maqedoni e kudo tjetër..

Dori: Nuk e eliminojmë dot politikën...

Burim Piraj: Open Ballkan është një nismë jashtëzakonisht e mirë nga aspekti  ekonomik nëse eliminojmë politikën. Unë do ta lus publikisht Kryeministrin Rama që ta sqarojë statusin e Kosovës në këtë pjesë dhe ta kemi të qartë se Kosova, si po futet në Open Ballkan, si shtet apo si pjesë e Serbisë?

Nëse futemi si shtet, atëherë është një rast shumë i mirë edhe për Kosovën, edhe për gjithë rajonin sepse Kosova në fakt nuk ka çfarë të humbë; ato mallra serbe që do të shiten në Open Ballkan, ato shiten në Kosovë. Kosova nuk humb asgjë, vetëm fiton, përfiton, mirëpo duhet që  zoti Rama të jetë ai, i cili do ta garantojë Kosovën se si do të përfaqësohet.

Nëse ne përfaqësohemi si Kosovë, si entitet në Open Ballkan, pse të mos jemi pjesë?! Duhet të jemi pjesë, unë mendoj se duhet të jemi patjetër pjesë, por…

Dori: Z. Piraj, unë kam një pyetje të fundit që më bën çudi. Ndërkohë që jemi në këtë nivel politik të kësaj marrëveshjeje, a do të ishte momenti që të kishim edhe një “road map”, një dokument të qartë ekonomik se cilat janë përfitimet, humbjet në futjen e këtyre vendeve në këët bashkësi të re?

Burim Piraj: Patjetër, patjetër që duhet të jetë një dokument ekonomik. Nuk e di pse disa gjëra mbahen në prapavijë. Nuk është mirë, të gjitha gjërat duhet t’i dimë paraprakisht, duhet t’i dimë saktë edhe ne si qytetarë, po edhe politikanët, edhe ekonomistët duhet ta dinë saktësisht se çfarë përmban gjithsej Open Ballkan, se cilat do të jenë përfitimet e qytetarit fillimisht dhe pastaj të shteteve që e përfaqësojnë, duhet të jenë të gjitha të qarta për opinionin dhe, pse të mos i bahskohemi atëherë nëse i kemi të qarta?!/ ar.sh/SYRI.NET