4 gjimnazistë të ‘Babë Dudë Karbunarës’ me Covid, izolohet klasa

Edhe në qytetin e Beratit ka filluar prej 2-ditësh proçesi i aplikimit të dozës së tretë të vaksinës për moshat mbi 60-vjeç. Edhe pse aplikimi i kësaj doze shihet si domosdoshmëri për këto mosha për të luftuar koronavirusin, burime pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se fluksi ka qënë shumë i ulët.

Sipas mjekëve të Qendrave Shëndetësore të qytetit të Beratit,moshat e treta nuk kanë treguar interes në lidhje me dozën e tretë të vaksinës anti-covid.

Shifrat e të prekurve me Covid-19 në Berat vijnë duke u rritur dhe vetëm ditët e fundit më të prekurit janë regjistruar në kopshte e shkolla. Covid-19 është shtrirë gjerësisht edhe tek fëmijët e mitur, duke prekur edhe fëmijët e moshave nga 6-muaj e deri në 5-vjeç, njëri prej të cilëve vetëm 3-vjeç gjeti vdekjen nga komplikacionet tre ditë më parë.

Rastet me Covid-19 janë regjistruar në Gjimnazin ‘Babë Dudë Karbunara’ në qendër të qytetit, ku vetëm në 24-orët e fundit kanë rezultuar ‘pozitiv’ 4 nxënës të së njëjtës klasë, ndërkohë që pritet tamponi i rezultateve për 22 nxënësit e tjerë të kësaj klase.

Burime brenda këtij gjimnazi bëjnë me dije se, nxënësit janë karantinuar në pritje të përgjigjes së rezultatit të tamponit, klasa është mbyllur dhe inspektorët e higjienës kanë kryer dezinfektimin e klasës dhe shkollës.

Qarku i Beratit ka njohur rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19 në muajin Shtator ku të prekurit ishin më së shumti moshat e treta, ndërsa muaji Tetor uli infektimet tek mosha e treta dhe shënoi rritje të të prekurve me Covid-19 tek fëmijët dhe nxënësit e shkollave 9-vjeçare e të mesme.