Thriller në Gjermani: Diplomati rus gjendet i vdekur jashtë ambasadës
Sipas informacioneve të revistës gjermane Der Spiegel, policia e Berlinit ka gjetur trupin e pajetë të diplomatit rus në trotuar para ndërtesës së ambasadës ruse më 19 tetor, rreth orës 7:20.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane tha sot se ministria ishte informuar për incidentin, por shtoi se nuk mund të jepte detaje të mëtejshme për shqetësimet e privatësisë.
Sipas Der Spiegel, burri duket se ka rënë nga dritarja e katit më të lartë të ambasadës ruse, që ndodhet në Berlin.
Burime në shërbimet e sigurisë theksuan se nuk janë zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja si dhe shkaqet e vdekjes.
Trupi i pajetë i diplomatit, sipas revistës gjermane, është transportuar në Rusi.
Ambasada nuk ka komentuar mbi incidentin.
Sipas listës zyrtare të diplomatëve rusë, 35-vjeçari ishte akredituar në verën e vitit 2019 si sekretar i dytë i ambasadës.
Sipas burimeve gjermane të sigurisë, diplomati ishte një agjent i fshehtë i Shërbimit Federal të Sigurisë Ruse (FSB), raportoi Der Spiegel.