Danimarka ndalon një anije kërkimore ruse, ja arsyeja

Autoritetet daneze kanë ndaluar një anije kërkimore ruse në veri në Gadishullit Jutland, konfirmuan përfaqësues të të dyja vendeve.

Ambasada e Rusisë në Kopenhagë të enjten tha se anija “Akademik Ioffe” e Institutit Shirshov për Oqeanologji, që është pjesë e Akademisë Ruse të Shkencave, u ndalua të hënën përderisa po mbushej me karburant në një port në Skagen.

Agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti, e citoi ambasadën të ketë thënë se në anijen e ndaluar nga danezët ndodheshin 61 persona, shkruan Free Europe.

Ambasada tha se konfiskimi i anijes u krye si masë e përkohshme si pjesë e një mosmarrëveshjeje me një kompani kanadeze në lidhje me aktivitetet e mëparshme të anijes “Akademik Ioffe”.

“Anija është më flamur rus, është pronë e Federatës Ruse dhe përdoret nga Instituti Shirshov për Oqeanologji për qëllime shkencore”, tha ambasada ruse.

Autoritetet daneze i thanë agjencisë së lajmeve “DPA”: “Ministria e Jashtme është e vetëdijshme për çështjen dhe mund të konfirmojë se jemi në kontakt me Ambasadën e Rusisë.”

Mediet ruse raportuan se kjo anije në të kaluarën kishte marrë turistë që paguanin me qëllim që të fitonte të ardhura shtesë për t’i paguar aktivitetet kërkimore.

Megjithatë, raportet thonë se kjo praktikë është ndërprerë dhe se anija nuk ishte duke u përdorur më për qëllime komerciale, duke bërë që kompania partnere kanadeze të kërkojë miliona dollarë si dëmshpërblim.