Mark Marku: Po t'ia bënin Berishës 'Foltoren' ai do ta rrihte 10 herë në ditë

Ish-deputeti i PD, Mark Marku duke folur për situatën brenda Partisë Demokratike u shpreh se Sali Berisha është personi që ka shkatërruar demokracinë brenda kësaj partie.

Profesor Marku shprehet se nuk mundet që Sali Berisha të thërrasë mbledhjen e Kuvendit nga mitingjet që bën.

“Nuk është ky mekanizmi”, tha Marku në emisionin “Opinion”.

Sipas tij, i gjithë problemi është hakmarrja ndaj kryetarit Lulzim Basha.

Teksa iu referua foltores, Marku e konsideroi atë si miting dhe u shpreh se nëse dikush do t’ia bënte këtë Sali Berishës, ai do ta rrihte nga 10 herë në ditë.

“Nëse ka një njeri që e ka shkatërruar demokracinë në PD është Sali Berisha dhe ata që e kanë mbështetur në pushtetin e tij absolut.

Mekanizmi nuk është me miting. Këta kanë zgjedhur kryetarin e PD, që është Lulzim Basha, e kanë zgjedhur me parimin një anëtar një votë. Është gjëja më jo demokratike mënyra si po ndërtohet ky proces.

Ka filluar takimet Sali Berisha, në këtë foltoren, po t’ia kishte bërë dikush Berishës këta ai do kishte rraf nja 10 herë në ditë. Ai po e bën dhe mua më vjen mirë që po e bën.

Ai shpall nga mitingjet, ditën e kongresit, shpall kandidaturën e vet. Deri tani nuk ka depozituar asgjë brenda atyre organeve që i kanë zgjedhur vete. Tani thonë do bëjmë një miting më të madh dhe do vendosin demokracinë në PD.

Duhet të kërkosh brenda forumeve që të mbledhësh kuvendin. Nuk mund të caktojë Berisha. I gjithë problemi është të hakmerren ndaj Bashës”, u shpreh Mark Marku.

Më tej Mark Marku u shpreh se “Kjo betejë nuk është për të shpëtuar PD, por për të shpëtuar Berishën nga hallet e veta. Një gjë është shumë e qartë, kjo nuk është betejë për të rilindur PD, është për një individ”./ Opinion