Po kritikohet për formën, trajneri i Empolit mbron Bajramin: Futbollist cilësor dhe punëtor, lëreni të qetë djalin

Nedim Bajrami është kthyer në një lojtar vendimtar te Empoli. Futbollisti kuqezi e nisi shumë mirë sezonin  e ri në Serie-A, por shkëlqimi i ndeshjeve të para është zbehur disi në javët e fundit.

Trajneri i skuadrës toskane, Aurelio Andreazzoli në konferencën për shtup në prag të ndeshjes në shtëpi kundër Genoa-s,  u ndal të flasë për formën e fantazistit nga Tetova, ku u shpreh:

“A mendoj se është ngadalësuar disi procesi i rritjes së Bajramit? Nedimi ka cilësi dhe dëshirë të madhe për të punuar e për t’u përmirësuar, ai është i fokusuar te puna e përditshme.

Jo të gjithë janë njësoj, secili ka kohën dhe nevojat e veta. Vështirësitë e momentit do të kthehen në pika të forta dhe nota pozitive, sepse ne kemi besim të madh te lojtari.

Nedimi do e ketë shansin të shfaqë potencialin e tij, kanë mbetur për t’u luajtur edhe rreth 30 ndeshje.

Nuk e cilësoj problem situatën e tij, rritja e Nedimit është e vazhdueshme, ndoshta jo shumë e shpejtë, por po ndodh”, deklaroi trajneri italian i Empolit, ekip ku aktivizohen edhe Ardian Ismajli dhe Kristjan Asllani.