‘Green Pass’ për të hyrë në lokale / Dasho: Pasaporta nuk imponon vaksinimin. Meksi: Vendim diskriminues

Qeveria ka marrë vendim që të përdoret “Green Pass” për çdokënd që do të hyjë në lokale në vend.

Mjeku Erion Dasho dhe avokati Redon Meksi, të ftuar në “Edicionin e Pasdites” në Syri Tv, folën për këtë vendim.

Dasho thekson se pasaporta nuk imponon vaksinimin, kurse Meksi vlerësoi se vendimi është diskriminues dhe antikushtetues.

Mjeku Erion Dasho: Në Europë, pasaporta ka tre elementë. Pasapora nuk imponon vaksinimin. Edhe paratë që duhen paguar janë të mëdha, në raport me rrogat që marrin shqiptarët. Jam kundër faktit se një person nëse nuk vaksinohet, duhet që të ikë nga puna. Jam kundër faktit, që nëpërmjet presionit financiar, të detyrohet një zyrtar, por jam pro që të ofrohet testi, testim që është falas, e personi testohet tre herë në javë, kjo procedurë është baraz me të qënit i shëruar.

Testi është me çmim prej 50 lekë ose 100 lekë dhe testohet para se të hyjë në mësim. E gjykoj si metodë që e shikoj si të realizueshme. Për fëmijët nën 18 vjeç, edhe një dozë mjafton që të krijohet imunitet.

Avokat Redon Meksi: Popullata diskriminohet, kemi konventa që shkelen. Këtu urdhërat vendosen me urdhëra goje. Këtu ka një problem, se opozitën e kemi edhe më pro se qeveria, sepse shkel parime bazë të Kushtetutës sonë. Ne nuk kemi vaksinë që të jetë e mirëstudiuar.