Union-Feyenord/ Incidente në Berlin para ndeshjes së Conference League, arrestohen mbi 70 tifozë

Ashtu si dy javë më parë në Rotterdam, edhe gjatë ditës së sotme në Berlin janë përsëritur skenat e dhunës mes tifozëve të Unionit e Feyenoordit, në prag të përballjes mes dy skuadrave në sfidën e vlefshme për Conference League.

Sipas mediave gjermane, deri tani janë arrestuar rreth 72 tifozë të të dy skuadrave, të cilët janë gjetur në gjendje të dehur dhe kanë provokuar zënka masive, teksa me vete kanë pasur edhe lëndë piroteknike, të planifikuara për t’u përdorur në stadium.

Gjithashtu janë arrestuar edhe tetë tifozë të tjerë, të cilët kanë kryer akte vandalizmi ndaj objekteve të ndryshme, përfshirë edhe njësi tregtare në kryeqytetin e Gjermanisë, ndërsa sfida e sotme pritet të luhet nën masa shumë të rrepta sigurie.

Skena të njëjta u përsëritën edhe dy javë më parë në Rotterdam, ku u arrestuan rreth 76 tifozë të të dy skuadrave, të cilët ishin përfshirë në zënka të ndryshme në qytetin holandez, ndaj ishte e pritshme që “një pjesë e hesapeve të laheshin” gjatë ditës së sotme në Berlin.