'Open Balkan'/ Çim Peka: Rama kërkon ta veshë Vuçiçin me kostumin e liderit perëndimor

Gazetari Çim Peka i ftuar në 'Ora 19:00' me Juli Krisafi në Syri Tv, komentoi takimin e pritshëm të Edi Ramës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç në Beograd. 

Peka tha se Rama ka për mision të kurojë imazhin e Vuçiç duke e "veshur" atë me kostumin e një lideri perëndimor, në një kohë kur ai si ish-ministër i Millosheviçit ka përgjegjësi për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës dhe djegien e pronave e shtëpive të tyre. 

Gjithashtu, gazetari Peka thekson se nisma "Ballkani i Hapur" është interes serb dhe kundër Kosovës. 

"Pse jemi kundër Ballkanit të Hapur? Sepse është një interes serb. Çdo gjë që është interes serb, nuk është interes kosovar. Dhe çdo gjë që nuk është interes kosovar, nuk mund të jetë interes shqiptar. Por Rama në gatishmërinë e tij për t'i bërë makiazh Vuçiçit, është i gatshëm që edhe sikur ky i fundit të mos jetë 'pro' Ballkanit të Hapur apo dikush t'i thotë ndalo, edhe pse është interes serb, Rama është i gatshëm ta vazhdojë. Detyra e Ramës është një dhe vetëm një, t'i bëjë makiazhin Vuçiçit. Ballkani i Hapur është etapa e dytë, ose finalja.

Tentativa e parë e tij për t'i bërë makiazhin ishte vizita në Durrës pas tërmetit. Njeriu që shkatërroi dhe dogji shtëpitë e kosovarëve si ministër i Millosheviçit, ftohet në Durrës gjoja për të ndërtuar shtëpitë e shqiptarëve, sikur të ishte djali i Nënë Terezës. Pa kërkuar kurrë ndjesë për atë që i bëri pronave dhe jetëve të qytetarëve shqiptarë të Kosovës. 

Rama falenderonte Vuçiçit për ndihmën ndaj tërmetit, kur ndihmën e parë e dhanë FSK dhe jo të Serbisë. Është i njëjti Ramë që donte të shkarkonte kryetarin e bashkisë së Kukësit i cili nëpërmjet ambasadorit tonë në Kosovë, zotit Minxhozi, i kërkoi ndihmë policisë kosovare të cilët erdhën dhe fikën zjarrin mbi tunelin e Kalimashit, i cili nëse do të vazhdonte, ai tunel do të bëhej i papërdorshëm dhe 1 miliard euro investime do të shkonin dëm. Zoti Rama e kërcënoi me shkarkim Gjicin pse i kërkoi ndihmë Kosovës. Dhe Gjici u detyrua të dilte si një karagjoz i Ramës të thoshte se kur erdhi ushtria kosovare zjarri ishte shuar nga ne. Ky është Edi Rama. 

Ballkani i Hapur është etapa finale që Rama ka ndërmarrë për t'i dhënë Vuçiçit kostumin e një lideri perëndimor. Ministrin e Millosheviçit Rama do ta veshë me çdo kusht me kostum të një lideri perëndimor, a thua se nuk ishte ky njeri që bënte propagandën për vrasjen e shqiptarëve të Kosovës dhe djegien e shtëpive të tyre. "Ballkani i Hapur" është interes serb. Çdo interes serb nuk është kosovar dhe çdo gjë që nuk është interes kosovar, nuk mund të jetë kurrsesi as interes shqiptar", tha Peka. 

Sipas tij, ""pro Ballkanit të Hapur" është vetëm faktori serb, serbët e Bosnjes, ish-kryeministri Zoran Zaev që humbi zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe është në minorancë aktualisht, pakicat serbe në Kosovë sigurisht, është pro-serbi në politikën e jashtme, Edi Rama, por lider Ballkanik që i kanë sytë nga Brukseli, nuk është asnjë në këtë tryezë"

Sa i takon deklaratës së Edita Tahirit për shpalljen 'non grata' të djalit të George Soros, Alex Soros, Peka tha se Soros ka negociuar ndarjen e Kosovës. Ndërsa shtoi se ishte surprizues takimi i Alex Soros me Albin Kurtin, në një kohë kur kryeministri i Kosovës është kundër ndryshimit të kufijve. 

Lidhur me situatën e trazuar aktualisht në rajon, gazetari Çim Peka tha se administrata 'Obama' shmangu vëmendjen nga Ballkani dhe i la terren të lirë interesave të Rusisë dhe Kinës. Dhe kjo sipas tij përkthehet në tentativë për të destabilizuar Ballkanin.

"Nën admnistatën Obama nuk kishte pikë interesi për Ballkanin dhe rusët e kinezës shtrinë interesat. Me ardhjen e Biden kishte një shpresë, proshqiptar i deklaruar dhe kundër politikave serbe. Por Biden ishte zv/president i Obamës dhe vëmendja në Ballkan ishte zero. Po bëhet 1 vit të presidencës së Biden dhe amerika është rikthyer te politika e Obamës. Nuk ka interes. Sa i takon Trump, pavarësisht tentativës së John Bolton për shkëmbimin e territoreve, ai ktheu vëmendjen nga Ballkani dhe u mor me çështjen e Kosovës. Marrëveshja e Uashingtonit përjashtoi kategorikisht ndryshimin e kufijve. Ndërkohë që sot me indiferencën e administratës Obama+Biden, po shohim sërish rizgjim të dëshirës serbe për të dominuar Ballkanin", tha Peka duke shtuar se mungesa e interesit amerikan në Ballkan u lë fushë të lirë amerikanëve.