VIDEO/ Boksieri shqiptar shkruan historinë në Serbi, Alban Beqiri kualifikohet në gjysmëfinalet e Botërorit

Alban Beqiri ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Beograd, duke krenuar të gjithë popullin shqiptar. Boksieri kuqezi ka mposhtur rivalin jordanez, Zeyad Eashash dhe është kualifikuar në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të boksit, në kategorinë deri në 71 kg.

Beqiri e dominoi totalisht takimin, duke dalë triumfues nga ringu. Me një boksim të shkëlqyer dhe me një teknikë të jashtëzakonshme si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, Beqiri triumfoi me rezultatin 4-1.

Pasi kishte kaluar me sukses tre duelet e para, fillimisht ndaj kenianit Maina e më pas kundër lituanit Banis dhe panamezit Eduardo Bekford Çambers, mbrëmjen e sotme ka ardhur dhe mrekullia.

Tashmë minimalisht boksieri kuqezi ka siguruar medaljen e bronzit, që është një rezultat historik për Shqipërinë. Kjo ishte fitorja e katërt e Alban Beqirit në Botërorin që po mbahet në Beograd.