VIDEO-SYRI TV/ Shqyrtohet ’30 qershori’, kërkohet injorimi i opinionit të ‘Venecias’

Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar seancën e fundit për zgjedhjet e 30 qershorit të 2019 dhe brenda 30 ditëve do të japë vendimin mbi këtë proces. Seanca u mbajt pas mbërritjes së Opinionit të Venecias, që theksonte se Kushtetuesja nuk ka kompetencë të shqyrtojë procesin zgjedhor. Por sot Shoqata e Bashkive i kërkoi gjykatës të mos e merrte parasysh këtë rekomandim dhe të anulonte procesin pasi dëmton pluralizmin

SYRI TV

Pas Opinionit të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar këtë të martë seancën e radhës për zgjedhjet vendore të 30 Qershorit. Përpara anëtarëve të Gjykatës Kushtetuesi, Përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Bashkive, Jordani Daci argumentoi se pse opinioni i Komisionit të Venecias nuk duhet marr parasysh.

“Ky opinion nuk është detyrues për Gjykatën Kushtetuese në tërësi. Opinioni ka pasur dhe kontradikta. Komisioni i Venecias ka më tepër opinion politik se përgjigje juridike për pyetjet e dërguara. Referuar ligjit, Gjykata Kushtetuese duhet ta gjykojë çështjen. ‘Kushtetuesja’ duhet ta injorojë këtë opinion të Komisionit të Venecias”.

Edhe në përfundim të seancës, avokati Jordan Daci i qëndroi pretendimeve të ngritura më herët. 

Përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona deklaroi se gjykata nuk ka juridiksion për të shqyrtuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor, ndërsa përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi theksoi se organet që janë kompetente për këtë janë KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Ndërkohë vendimi për vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të vitit 2019 pritet të publikohet brenda 30 ditëve.