Alarm në kufirin me Greqinë, një makinë thyen traun e doganës dhe ikën me shpejtësi

Një makinë që vinte nga Shqipëria në drejtim të Greqisë, ka thyer traun e doganës greke të Mavromatit (Qafe-Botë).

Drejtuesi i mjetit nuk i është bindur policeve për kontroll, duke shtuar shpejtësinë duke thyer traun dhe me pas është futur në tokën greke. 6 mjete të policisë greke janë vënë në ndjekje të makinës për rreth 30 kilometra deri sa i kanë bllokuar rrugën brenda qytetit të Igumenicës.

Në tentative për t’u larguar, drejtuesi shqiptar, ka përplasur një nga makinat e policisë, por fatmirësisht pa lënduar njeri. Drejtuesi është shoqëruar ne policinë e Igumenicës, ndërsa mjeti po i nënshtrohet një kontrolli të imtësishëm.

Deri tani nuk është gjetur asnjë e dyshimtë në makinë dhe policia dyshon se kemi të bëjmë me një person me probleme psikologjike.

Burime nga Policia Kufitare e Sarandës kanë bërë të ditur se makina ka kaluar me shpejtësi edhe në doganën tonë duke mos iu bindur urdhrit të policisë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve.

Sapo ka kaluar edhe traun e doganës tonë është njoftuar pala greke, por edhe atyre nuk i është bindur, për tu kapur më pas në Igumenicë.