FOTO/ Rushaj e Tabaku presin Presidentin e NDI dhe delegacionin e tyre

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD,  Alfred Rushaj dhe kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian Jorida Tabaku u takuan sot me Presidentin e NDI z. Derek Mitchell dhe Drejtorin e Përgjithshëm të NDI-së për Europën Qendrore dhe Lindore z. Robert Benjamin.

Rushaj e falënderoi presidentin Mitchell për ndihmën e pakursyer që NDI i ka dhënë jetës parlamentare në Shqipëri dhe veçanërisht PD-së. Ndërkohë që Tabaku shprehu vlerësime në ndihmën specifike që NDI ka dhënë për të rinjtë e PD dhe gjithashtu për zonjat në këtë forcë politike.

Mitchell dhe Benjamin u njohën gjithashtu me procesin e krijimit të Institutit Parlamentar, një gurë themeli në lidhje me transparencën edhe gjithëpërfshirjen e qytetarëve në jetën politike dhe politikëbërjen. Ata theksuan rëndësinë e këtij procesi dhe domosdoshmërinë që Shqipëria ka për transparencën.

 Takimi i tyre pati në fokus rëndësinë e Vettingun në Politikë dhe ndryshimet kushtetuese që PD ka kërkuar në Parlament si një mjet për të përforcuar më tej demokracinë në vend. Përfaqësuesit e opozitës u shprehën se janë plotësisht në mbështetje të krijimit të këtij organizmi, përmes  një procesi të rregullt dhe gjithëpërfshirës së bashku me opozitën.

 Ata gjithashtu u shprehën se komisionet parlamentare po përdoren nga opozita për të pasur nën kontroll qeverinë, sikundër informuan presidentin e NDI dhe Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore për komisionet hetimore që ka ngritur opozita.

Ata përshëndetën dhe vlerësuan Partinë Demokratike për përfshirjen e grave dhe të rinjve në politikë. Si dhe shprehën gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes së tyre në ndihmë të jetës parlamentare.