Diego Longo: Do provojmë ta çojmë Kupën në Kukës

Egnatia-Kukësi është një tjetër përballje Superioreje që do të zhvendoset në Kupën e Shqipërisë, me të dy skuadrat që do të “matin forcat” në Peqin, për të përcaktuar se kush do të kalojë më tej.

Trajneri Diego Longo doli në konferencën e zakonshme për shtyp ku tha se Kupa e Shqipërisë është gjithashtu një prioritet i verilindorëve dhe komentoi edhe rivalitetin me Tiranën në kampionat.

A është kjo një ndeshje për t’u dhënë pak pushim titullarëve?

Jo, ne nuk mendojmë për këtë, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe nga minuta e parë do të luajnë ata që janë në formën më të mirë. Do t’i shoh sot në stërvitje dhe do të vendosim kush do të luajë nesër.

Mund të luajë Kukësi në të dyja frontet, edhe në kampionat edhe në Kupë?

Sigurisht. Çdo kompeticion dhe gjithashtu çdo seancë stërvitore është shumë e rëndësishme për ne. Kupa është një trofe dhe ne do të provojmë ta çojmë në Kukës.

Jeni nga të paktat ekipe që e keni vënë në vështirësi Egnatian në kampionat…

Egnatia është një ekip i vështirë dhe këtë e kam thënë që në fillim. Tani është ndryshe nga fillimi, pasi kanë ardhur në formë dhe do të na e bëjë më të vështirë edhe fusha, pasi do të luhet në Peqin.

Është problem të stërvitesh në fushë me bar sintetik dhe të luash në një tjetër me bar natyral?

Normalisht që është diçka ndryshe, por kjo nuk përbën një alibi për ne. Stërvitemi këtu dhe mund të luajmë atje. Natyrisht që po të kishim mundësi, do të donim të luanim në një fushë me bar natyral.

Keni thënë se dëshiron një futboll të shpejtë, me presion të lartë. A i keni arritur këto objektiva?

Jam i lumtur për mënyrën sesi kemi luajtur dhe jemi stërvitur deri tani. Sigurisht që rezultatet janë shumë të rëndësishme. Kemi humbur tre pikë naive si dy ndaj Laçit dhe një ndaj Teutës, megjithatë puna ime është të analizoj paraqitjen e skuadrës.

A e reflekton forcën e skuadrave, renditja aktuale? A është Tirana më e fortë?

Në këto momente unë nuk mendoj për klasifikimin, por do të shihet vetëm në mars. Megjithatë Tirana është një ekip shumë i mirë, tradicional, të cilës i peshon edhe fanella, pasi ka fituar 25 herë titullin kampion.