VIDEO – SYRI TV/ Lihet në harresë Qendra Kulturore në Maliq, qytetarët: Të trishtuar për neglizhencën

Kanë kaluar pesë vjet që nga dita që një shkëndije elektrike do të shkrumbonte qendrën kulturore të Maliqit. Por prej asaj dite, as bashkia dhe as ministria e Kulturës nuk kanë bër asnjë përpjekje për rikonstruksionin e godinës. Banorët shprehin keqardhje dhe trishtim për neglizhencën e shtetit ndaj kësaj pasurie kulturore.

Nga Syri Tv

Dikur në këtë ambient zhvillohej jeta artistike e qytetit të vogël të Maliqit, deri kur në 14 dhjetor të vitit 2016 një shkëndijë elektrike do të shkrumbonte një pasuri të tërë. Pesë vjet më vonë, Qendra e Kulturës në Maliq që mban emrin e mjeshtrit “Dhimitër Orgocka”, është lënë në mëshirë të fatit duke u rrënuar nga dita në ditë.

Zjarri dogji gjithçka kishte brenda, duke fshirë nga kujtesa pasuri të rëndësishme kulturore për Maliqin. Ndërkohë, Ministria e Kulturës nuk është kujtuar të vërë dorë për restaurimin e kësaj qendre. Nga ana tjetër, Festim Tomorri drejtor i trashëgimisë kulturore në bashkinë e Maliqit, shprehet se pushteti lokal nuk ka fonde për restaurimin e qendrës.

Djegia e godinës ka lënë pa jetë kulturore qytetin e Maliqit, ndërsa të rinj të talentuar nuk kanë mundësi ku të shfaqin talentin e tyre. Banorët e këtij qyteti e shohin me trishtim neglizhencën e shtetit për restaurimin e qendrës kulturore.

Godina e Qendrës Kulturore të Maliqit kishte një arkitekturë të veçantë, pasi ishte ndërtuar nga sovjetikët në vitin 1952. Në këtë objekt, për 64 vjet me rradhë janë dhënë dhjetëra shfaqe artistike, ku padyshim janë evidentuar breza artistësh të cilët më pas kanë pasur karrierë të suksesshme në vend. Mirëpo prej pesë vjetësh, ky objekt i është dorëzuar fatit, atij të shkatërrimit nga dita në ditë.