VIDEO/ Pamje emocionuese, tifozët nderojnë Maradonën në ditën e lindjes

Dita e djeshme ka qenë shumë e veçantë në Argjentinë, pasi në çdo stadium është kujtuar figura e Diego Armando Maradonës, në atë që duhej të ishte 61-vjetori i legjendës argjentinase. E askund tjetër nuk është kujtuar në mënyrë më emocionuese sesa në stadiumin “Bombonera” të Boka Juniors.

Ndeshja e djeshme ishte me të vërtetë e veçantë, pasi përballë ishte Boka Juniors me Gimnasia La Plata, skuadra e fundit që ai drejtoi para se të bënte ndërhyrjen kirurgjikale në kokë si pasojë e të cilës erdhi edhe ndarja tragjike nga jeta. Klubet dhe tifozët kanë dashur ta përkujtojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pamjet e “Bombonera” kanë qenë me të vërtetë emocionuese.

Në minutën e 10 të sfidës, gjyqtari ndali ndeshjen dhe i gjithë stadiumi u dridh nga duartrokitjet dhe koret, ndërsa në ekranin gjigant shfaqej një video e “Pibe D’Oro” me atë që kishte bërë në vite me fanellën e klubit të Boka Juniors dhe me Argjentinën. Dalma, vajza e tij, ishte në fushë duke marrë një fanellë të personalizuar, ndërsa një tjetër e Boka Juniors fluturonte në qiell. Ndërsa edhe Xhanina, vajza tjetër e ish-sulmuesit argjentinas, nuk mbante lotët në tribunën që i ishte rezervuar shpesh asaj dhe legjendës së futbollit botëror, në vendin ku uleshin zakonisht për të ndjekur ndeshjet e klubit të zemrës.