Goditi me grushta trajnerin dhe lojtarin e Orikut, policia arreston 20 vjeçarin

Ndeshja e djeshme mes Shënkollit dhe Orikut është mbyllur para kohe dhe me ngjarje dhune, që këtë radhë kanë përfshirë futbollistët e të dy skuadrave.

E gjitha është bërë për shkak të një kartoni të kuq të marrë nga futbollisti i ekipit vendas Kaçorrit dhe situata ka degjeneruar në sherr të madh me pjesëtarët të pankinës së Shënkollit që hynë në fushë.

Kjo ngjarje detyroi arbitrin e takimit që të mbyllë sfidën në minutën e 83-të dhe teksa të gjithë protagonistët u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Lezhë.

Së fundmi Policia e Lezhës ka bërë me dije se është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet A.Z banues në Shënkoll për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, apo arbitrit, ndërmjetësit sportiv”:

NJOFTIMI I POLICISË SË LEZHËS –

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A.Z., 20 vjeç, banues në Shenkollë, Lezhë, për veprën penale “Goditja e sportistit, tajnerit, apo arbitrit, ndërmjetësit sportiv”

Ky shtetas, gjatë zhvillimit të ndeshjes Shenkolli-Orikumi, në Shenkollë, Lezhë, pasi arbitri ka ndëshkuar me karton të kuq një nga lojtarët e Shënkollit, ka hyrë në fushë duke goditur me grushta lojtarin dhe trajnerin e skuadrës së Orikumit shtetasit A.V. dhe B.Sh.”