Juventusi shndërrohet në një skuadër normale, e pranon Alegri: Nuk jemi më mirë se Verona

Juventusi është kthyer në një skuadër normale të mesit të renditjes.

Ky verdikt jepet nga trajneri i bardhezinjve, Masimiliano Alegri, i cili pas sfidës së humbur me Veronën ka deklaruar se skuadra kundërshtare e cila deri pak javë më parë gjendej në fundin e renditjes, aktualisht është më e fortë se ekipi i tij.

“Duhej të vendosnim veten në nivelin e tyre, të vraponim, të ndiqnim kundërshtarin dhe me kalimin e kohës në ndeshje, cilësitë dalin në pah. Por nuk është se mundim skuadrat e mesit të tabelës së klasifikimit vetëm se veshim fanellën e Juventusit.

Ky është futbolli, janë përplasjet. Duelet në ajër dhe kur gjen Veronën duhet të vihesh në nivelin e saj. Edhe kundër Sasuolos që nuk është një skuadër fizike. Ndodhi e njëjta gjë, mendonim që ishim më të mirë se ata, duhet ndershmëri, në këtë moment nuk jemi”, tha Alegri.