Humbja me Tiranën shkakton polemika, Brdaric replikon me Hafizin: Eja bëhu ti trajner i Vllaznisë!

I mërzitur jo pak nga humbja e dytë radhazi, trajneri Brdaric nuk e kontrolloi nervozizmin në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport.

Si asnjëherë më parë, tekniku gjerman nuk e mirëpriti një analizë të gjerë të Astrit Hafizit dhe kërkoi që të flitet vetëm për ndeshjen ndaj Tiranës.

“Çuna, nëse doni të flasim për 3-4 muajt e fundit, ejani në Shkodër të pimë kafe dhe të flasim tre orë. Unë jam këtu për të folur për ndeshjen e sotme dhe për të mund t’u them çfarë të doni. Nuk është e nevojshme të bëjmë gjithçka zi, pasi ekipi ka nevojë edhe për mbështetje. Dakord që kemi gabuar, por duhet të shohim përpara dhe të përmirësohemi. Mund të ndryshojmë pozicionet, ti bëhu trajneri i Vllaznisë dhe unë specialist i ‘SuperSport. Në rregull?”, iu drejtua Brdariç ish-trajnerit të Vllaznisë dhe kombëtares, Astrit Hafizit.

“Unë njëherë fola dhe ti u nervozove, imagjino të kishim diskutuar çdo javë bashkë. Ti je trajneri aty dhe duhet të marrësh përgjegjësi. Skuadra nuk arrin të reagojë sa herë që pëson gol dhe ti ke përgjegjësi për këtë”, tha Hafizi në replikën e tij.