Kalari: Situata nuk ka qenë e mirë pas humbjes në derbi, kthesa me Egnatian

Duke qenë se Ilir Daja është i pezulluar, zv.trajneri i Partizanit, Renaldo Kalari, ka dalë në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Egnatian, ku analizoi këtë takim të rëndësishëm të “të kuqve”:

Situata pas derbit ndaj Tiranës – “Dihet që mbas humbjes në derbi, situata nuk ka qenë shumë e mirë në aspektin psikologjik. Si në ndeshjet e tjera edhe këtë takim ishin në gjysmëfushën e kundërshtarit, ky fakt na bën optimist, përtej rezultatit, që nuk ishte në favorin tonë. Derbi i ka të treja rezultatet, tani duhet të mendojmë për të ardhmen.”

Presioni – “Nuk kemi bërë asgjë ndryshe, por vazhdojmë atë që kemi nisur. Skuadra stërvitet maksimalisht dhe kundër Egnatias duhet të marrim maksimumin. Kemi lënë pikë, nëse shohim atë që ka dhënë skuadra në ndeshjet e tjera.”

Egnatia – “Egnatia është një skuadër me kualitet, që ka marrë shumë pikë deri tani dhe ka vlerësimin tonë maksimal. Derbi jonë është Egnatia.”

Gjendja e dobët e Partizanit – “Ky është fakt, por është vetëm fillimi i kampionatit. Ajo që na bën optimist është loja e zhvilluar në të gjitha ndeshjet, ku kemi dominuar kundërshtarin. Mund të marrësh pikë, por nëse nuk luan mirë bëhet më e vështirë më pas. Skuadra është e qetë dhe lojtarët janë optimist që rezultatet do të vijnë, shpresojmë që nesër.”

Kthesa kundër Egnatias – “Shpresojmë që nesër do të jetë dita e kthesës dhe do ti rikthehemi rezultateve pozitive, pastaj nuk do të ndalemi më.”

Pa tifozë dhe me mungesa – “Trajneri nuk do të jetë në pankinë, mbështetja e tifozëve do të na mungojë, por edhe mungesat në repartin e sulmit. Kardozo, Zhunior dhe Kaçe, që do të vlerësohet sot nëse do të jetë titullar ose jo.”, përfundoi Kalari.