Neymar reagon dhe u përgjigjet kritikëve

PSG fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Lille, në ndeshjen e javës së 12-të në Ligue 1. Neymar, i cili u përpoq shumë, ishte vendimtar në fund të ndeshjes, duke dhënë asist për Angel Di Maria, autor i golit të fitores për parisienët. I pyetur pas vërshëllimës së fundit, braziliani foli për kritikat e fundit ndaj tij.

“Ishte një ndeshje e vështirë, por ne luftuam deri në fund. Është mirë për ekipin, urime të gjithëve, jam i lumtur për këtë fitore.”

Sulmuesi u përgjigjet edhe kritikëve, duke deklaruar se dëshiron të kujtohet si një lojtar i vërtetë në fushë dhe jo si një djalosh festash.

“Njerëzit ndoshta nuk kanë punë dhe merren me çdo gjë që bëj. Kur kam kohë, natyrisht që dal, por ditën tjetër jam sërish në stërvitje.

Çfarë ka të keqe në këtë mes? Unë nuk kërkoj asgjë më shumë se respekt. Dëgjoj shpesh njerëzit që thonë se Neymar nuk kujdeset për veten, Neymar e ka mendjen te festat, Neymar kështu e Neymar ashtu.

Por si ka mundësi që një njeri që nuk kujdeset për veten ka 12 vjet që qëndron në majat e futbollit? Nuk e kuptoj këtë gjë. Njerëzit më shumë merren me atë çfarë bëj jashtë fushe se me atë çfarë bëj në fushë”, ka thënë Neymar.

Por braziliani nuk është ndalur me kaq, duke vijuar me kritikat në adresë të “botës”. “Mund t’i garantoj të gjithë se di të kujdesem jo pak për veten. Kam një fizioterapist dhe një përgatitës atletik që më qëndron pranë 24 orë në ditë.

E për çfarë? Për asgjë. E theksoj se dua të gjykohem për atë çfarë bëj apo nuk bëj në fushë, jo për jetën time private.

Jeta ime është imja dhe mund të bëj çfarë të dua”, ka nënvizuar braziliani. Gjithsesi, Neymar ka pranuar se me kalimin e viteve ai është maturuar më shumë. “Natyrisht si i ri gaboja më shumë.

Jo sepse tani që jam 30 vjeç nuk gaboj, por jam shumë më i pjekur. Pjekuria vjen me kohë”, ka thënë braziliani.