Gjykata Evropiane e gjobiti me 1 milionë euro në ditë, Polonia refuzon ta paguajë

Ministri i Drejtësisë së Polonisë, Zbigniew Ziobro refuzon rreptësisht pagesën e gjobave të vendosura nga Gjykata Evropiane.

“Polonia nuk mund dhe nuk duhet të paguajë”, u tha ministri gazetarëve.

Dy ditë më parë, Polonia u gjobit me 1 milionë euro në ditë për shkak se nuk ka pranuar të pezullojë funksionin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë. Kjo masë ndëshkuese do të jetë në fuqi deri në momentin kur Vrashava të pranojë të pezullojë Dhomën Disiplinore të Gjykatës së Lartë.

Komisioni i BE-së dhe Polonia kanë debatuar për një kohë të gjatë për respektimin e parimeve të sundimit të ligjit që janë të detyrueshme për vendet e BE-së. Polonia është akuzuar për shpërfilljen e tyre që kur qeveria konservatore kombëtare nisi ristrukturimin e gjyqësorit polak.

Mosmarrëveshja u përshkallëzua më tej kur Gjykata Kushtetuese polake vendosi në fillim të tetorit se ligji i BE-së nuk kishte përparësi ndaj ligjit kombëtar.