U mundën thellë nga Liverpool, Rashford u kërkon falje tifozëve: Nuk e meritoni këtë, ndihem i turpëruar

Marcus Rashford tha se ndihet “i turpëruar” pas humbjes së thellë 5-0 që Manchester United pësoi nga Liverpool, të dielën. Sulmuesi i “djajve të kuq” preferoi të priste disa ditë para se të gjente fjalët e duhura për t’iu thënë tifozëve.

Rashford pranoi se rezultati ishte i padrejtë për tifozët dhe u zotua ta shpagojë veten, ndërsa sezoni përparon.

Ja mesazhi i sulmuesit anglez: “Nuk mund të gënjej pse nuk më keni dëgjuar mua këtu, sepse si tifoz i Manchester United nuk dija çfarë të thoja, pas së dielës. U turpërova, jam i turpëruar. Tifozët tanë janë gjithçka dhe nuk e kanë merituar këtë. Ne po punojmë shumë për ta rregulluar këtë. Duhet ta shpagojmë veten”.

Ky ishte postimi i tij i parë në Twitter, që nga e enjtja e kaluar. Manchester United i është dashur të reflektojë shumë këtë javë, teksa komentet e Rashford rezonojnë me bashkëlojtarët e tij.

Kjo ishte humbja më e rëndë e Manchester United në shtëpi ndaj Liverpool-it. Po kështu ishte humbja e parë me të paktën pesë gola në shtëpi që nga shkurti i vitit 1955.

“Djajtë e Kuq” do të takohen me Tottenham të shtunën, në një ndeshje të rëndësishme në Premier League. Manchester United ndodhet në vendin e shtatë të renditjes, një pikë prapa Tottenham-it, në vendin e gjashtë.