Evropa renditet e para në numrin e infeksioneve dhe vdekjeve të reja javën e kaluar

Evropa është i vetmi rajon i madh në botë ku javën e kaluar u regjistrua rritja e numrit të infeksioneve të reja me koronavirus dhe vdekjeve nga pasojat e infeksionit dhe rritja është dyshifrore në të dyja rastet, njoftoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara deklaroi se numri i infeksioneve të reja u rrit me 18% në 53 vende të rajonit evropian javën e kaluar dhe numri i vdekjeve me 14%.

Java e kaluar ishte e katërta radhazi me rritjen e numrit të infeksioneve të reja në Evropë.

Javën e kaluar u regjistruan 1.6 milion infeksione të reja dhe më shumë se 21,000 vdekje.

Ndër vendet evropiane me numrin më të madh të infeksioneve për 100 mijë banorë janë Ukraina, Rumania, Bullgaria, Moldavia dhe Gjeorgjia.

Vendi me numrin më të madh të infeksioneve të reja në botë janë Shtetet e Bashkuara, ku javën e kaluar u regjistruan pothuajse 513,000 infeksione të reja dhe më shumë se 11,600 vdekje.

Në vend të dytë renditet Britania e Madhe me më shumë se 330 mijë të infektuar të rinj dhe në vendin e tretë Rusia me rreth 250 mijë.