Rama sulmon Bashën, Basha sulmon Berishën

Një situatë paradoksale në Kuvendin e Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama sulmoi Lulzim Bashën nga foltorja e Kuvendit, duke thënë se ai është shkaku për humbjet e PD-së.

Kreu i qeverisë i hapi edhe ‘sfidë’ Bashës, ndërsa shtoi se do të fliste me të pasi ky i fundit do të qëndronte me 50 demokratë jashtë selisë së PD, në të njëjtën kohë.

“Nuk del dot nga zyra ti të takosh njerëzit e partisë tënde. Të paktën dili zot njerëzve të tu. Mos hajde këtu të ndysh shtëpitë e shqiptarëve, ul e ngri hajduta dhe kriminela se nuk ta ka borxh njeri Lulzim. Nuk ta ka fajin njeri për humbjen. Me këtë mënyrë të foluri, nuk të beson askush, je vetë arsyeja e humbjes. Jam këtu për të respektuar këtë institucion, këtë përgjegjësi që kemi marrë, për të respektuar ty dhe partinë tënde. Por që kjo të jetë partia më e bukur e lindjes, ‘Give me a break’. Ti mund të jesh lindja, por flit dhe bëhu burrë, mos u sill sikur je ende në pelenat e mjekut. Mos e përsërit më, nëse e provon që të jesh në gjendje kur t'i mbledhësh 50 bashkë jashtë mureve të SHQUP, hajde flasim prapë se si rrihet pranë njerëzve, eh të keqën vëllai se të kam xhan”, tha Rama.

Por në mënyrë ironike, Basha reagoi ndaj Ramës duke sulmuar Sali Berishën.

“Të gjithë e kuptojnë ku e ke hallin? Ke hall ti sa demokrat mbledh unë? Të ka marrë malli ty? Thuaje të ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën? Shko dhe ti në foltore. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallin tuaj. Unë jam këtu për të qarë hallin e shqiptarëve, as tëndin, as të Sali Berishës, as të Ilir Metës. Dhe atyre që u vijnë mbrapa. Mua do të më kesh përballë, jo Sali Berishën. Mua që të munda në 2011-n. Unë nuk kam nevojë të të poshtëroj, sepse ti poshtëron veten, me fakte”, tha Basha.

“Koha e trekëndëshit të Bermudës ka marrë fund. Misioni im është të mos përsërisim gabimet dhe të mos bëjmë më kompromis me të keqen. Në fakt e kam edhe unë pjesën time të fajit që je aty. Por pjesën më të vogël, sepse pjesën më të madhe e kanë dy brinjët e tjera të trekëndëshit të Bermudës”.