Tetë muaj burg për përdhunimin e së miturës?! Kryeprokurori i Kosovës kërkon rishqyrtim pas protestave qytetare

Gjykata Supreme ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë të adresojë përgjegjësinë disiplinore për gjykatësen që mori vendim për të dënuar me tetë muaj burgim, dhunuesin e një 15-vjeçareje.

Ky rast ka nxitur reagime të mëdha në vend, pasi dënimi është vlerësuar si tepër i butë dhe nxitës për raste të tjera dhunimi.

“Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit për veprën penale "Dhunimi" e që pretendohet se ka pasur shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Një ditë më parë, edhe Prokuroria e Shtetit i ka kërkuar Prokurorisë Themelore të Pejës që ta rishqyrtojë rastin.

Në fakt, edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh që dënimi për dhunim në rastin kur viktima është e mitur të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim, gjyqtarja Florije Zatriqi kishte gjetur rrethana lehtësuese për të dyshuarin.

Ajo në vendimin e marrë dy muaj më parë e kishte arsyetuar dënimin e ulët duke u bazuar në keqardhjen dhe pranimin e fajësisë, si dhe në faktin se në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar, derisa tani kanë kaluar 10 vjet dhe se ai ka edhe fëmijë.

Lidhur me këtë aktgjykim të marrë para dy muajve, Koha.net ka tentuar ta kontaktojë gjyqtaren e rastit, Florije Zartriqi të martën, por nuk ka qenë e mundur.