Zidane nuk është i interesuar për të marrë drejtimin e Manchester United

Një kandidaturë më pak për të zëvendësuar Ole Gunnar Solskjaer në stolin e Manchester United, nëse drejtuesit e “Djajve të Kuq” vendosin të shkarkojnë teknikun norvegjez.

Zinedine Zidane, ish-trajneri i Realit të Madridit dhe një ndër emrat më të preferuar të tifozëve të United për t’i dhënë drejtimin e skuadrës, nuk është aspak i tërhequr nga ideja për t’u ulur në stolin e “Djajve”.

Sipas raportimeve të mediave angleze, tekniku francez ka dalë nga gara pasi nuk është i interesuar për të marrë drejtimin e klubit anglez.

Drejtuesit e Manchester United për momentin kanë vendosur të vazhdojnë aventurën me Solskjaer, por sfidat e radhës mund të vendosin fatet e norvegjezit, ndërkohë që edhe Antonio Conte një emër i preferuar për drejtuesit e klubit nga “Old Trafford” nuk kanë dëshirë që të marrë një skuadër në mes të sezonit dhe kandidaturat për pasuesin e Solskjaer në stolin e United sa vinë e pakësohen.