VIDEO-SYRI TV/ Falsifikoi dokumentet e pronave, Troci mbetet në burg

Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Klodian Trocin, ish-drejtorin e Kadastrës në këtë qytet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Klodian Troci u paraqit rreth orës 9:00 të paradites në gjykatë për t`u njohur me masën e sigurisë, por seanca u shty për disa minuta pasi gjyqtari i çështjes Enkel Peza mungonte në seancë. Më pas një tjetër gjykatës shqyrtoi kërkesën e prokurorit Alfred Sali, ku ky i fundit kishte kërkuar masën e arrestit me burg për ish-drejtorin e Kadastrës, masë e cila u la në fuqi nga gjykata.

Troci u arrestua tre ditë më parë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me ish-kreun e Administratës së Tokave në Këshillin e Qarkut, Bardhyl Gjika, dhe ky i arrestuar, kanë falsifikuar dokumentet e një prone në Dhërmi kundrejt përfitimit monetar. Gjatë kontrolleve në banesën e Klodian Trocit, policia sekuestroi prova të shumta shkresore dhe një shumë prej 65 mijë eurosh.

Në burg, përveç ish-kreut të Kadastrës, është aktualisht dhe Bardhyl Gjika, ish drejtori i zyrës së Administrimit të Pronave në Këshillin e Qarkut në Vlorë si dhe Spiro Duni, një banor nga fshati Dhërmi, i cili nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve nga dy zyrtarët e lartë, ka përfituar një truall në fshatin e tij.

Klodian Troci dhe Bardhyl Gjika, dyshohet se janë gjithashtu bashkëorganizator të skemës së grabitjes së dosjes së pronave të Dhërmiut, e cila ndodhej në Këshillin e Qarkut të Vlorës. Hetimet për zbardhjen e grabitjes së dosjes së pronave në qarkun e Vlorës, u bë shkak edhe për zbulimin e falsifikimit të dokumenteve të pronësisë nga Klodian Troci dhe Bardhyl Gjika.