Ish-presidenti i Barcelonës zbulon gafën e madhe: Do firmosnim me Mbape, por zgjodhëm Dembele

Ish-presidenti i Barcelonës, Maria Bartomeu, është shprehur se Barcelona kishte mundësinë të nënshkruante me sulmuesin Kilian Mbape në vitin 2017.

Mbape tani është një nga lojtarët më të lakmuar në futbollin botëror, duke tërhequr shumë vëmendje nga skuadrat e mëdha, në veçanti nga Reali, pasi kontrata e tij me PSG-në është në skadencë.

Sulmuesi francez u transferua te parisienët në vitin 2018 nga Monaco.

Bartomeu është shprehur se si katalanasit kishin mundësi të nënshkruanin me Mbapenë një vit më para se të transferohej në Paris, por në vend të kësaj, ata vendosën të nënshkruajnë me yllin e Dortmundit, Osman Dembele, me një marrëveshje me vlerë 135 milionë euro.

“Nënshkrimi i Mbape ishte në tryezë, por trajnerët preferuan Dembelen sepse donin një lojtar që hapej shumë në fushë”, është shprehur ish-presidenti i Barcelonës.

Që atëherë, Dembele ka vuajtur nga një mori lëndimesh, ndërsa shoku i tij i kombëtares Mbape ka njohur vetëm rritje.

Në atë kohë, trajner ishte Ernesto Valverde që e cilësonte Dembelen si më të rritur dhe më të pjekur për Barcelonën.