Kërcënimet e Bashës për Berishën, Flamur Noka: Lajthitja e tretë, tregon se është në panik, po kthehet në grotesk

Në një lidhje direkte në 'Çim Peka Live' në Syri Tv nga Dibra ku ndodhet në pritje të 'Foltores' së Sali Berishës nesër në orën 17:00, deputeti Flamur Noka, komentoi kërcënimet e Bashës sot në grupin parlamentar, në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha.  

Noka tha se Basha është çekuilibruar prej panikut për humbjen e betejës për të mbajtur PD-në me çdo kusht.

Noka tha se Basha nuk përfaqëson më PD-në e as demokratët, por interesat e tij personale.

"Jam i prirur ta besoj këtë deklaratë. Kohët e fundit Basha është çekuilibuar, e ka humbur davanë, thotë populli, arsyet dihen, është kapur me presh në duar në pazar me Edi Ramën. Këto lajthitje nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e panikut sepse Basha nuk përfaqëson më PD-në, as demokratët, ai thjesht përfaqëson veten e vet dhe interesat e tij i ka të lidhura me karrigen e kryetarit të PD. 

Edhe kjo lajthitja e sotme, nuk është as më shumë e as më pak se dy lajthitjet e para.

E mbani mend kur etiketoi bazën e PD si anti-amerikane.

Lajthitja e dytë ishte kur quajti llum qeverinë e PD që ka qenë qeveria më e mirë dhe quajti llum bazën e partisë. 

Kjo është lajthitja e tretë.

Këto të treja së bashku e bëjnë Bashën një personazh grotesk të politikës shqiptare, asgjë më shumë. Ai stonon edhe me impostimet që ka marrë kohët e fundit në Parlament duke u 'trimëruar' ndaj Edi Ramës, asgjë më shumë, është një instonim i habitshëm qesharak. Basha sot është ish-kryetar i PD, sepse nuk ka bazën, nuk ka delegatët, ai ka thjesht veten dhe ndonjë nëpunës që paguan me rrogë aty rrotull", u shpreh Noka.   

Çim Peka: Një ditë para takimit të Kukësit, Basha ju përjashtoi si nënkryetar i komisionit të sigurisë, një ditë para takimit të Dibrës, z.Basha i thotë Sali Berishës, jam nip Hoti, di të bëj edhe gjë të tjera, e shqetësojnë Bashën takimit në këto dy qendra, apo është mungesë qetësie? 
Flamur Noka: Jo vetëm në këto dy qendra, Basha është i tmerruar nga 'Foltorja'. Po e sheh çdo ditë që po i rrëshqet dheu nën këmbë. Ai nuk kontrollon asgjë. Thjesht është mbyllur në bunker dhe hap ndonjëherë dritaren, e nga frëgjia aty, mundohet të këpusë ndonjë kumbull, për të thënë se po flasin. Por demokratët e dinë mirë, ky nuk është Lulzim Basha, por një qesharak, një grotesk.

Flutura Açka ka thënë se Berishizmi nuk ka vend në PD, Gjekmarkaj ka thënë Berisha nuk duhet të kthehet më në PD, Salianji thotë vendimi i Bashës më i drejti? A duket sikur po shtohen zërat në përkrahje të Lulzim Bashës dhe po pakësohen në përkrahjen tuaj?
Flamur Noka:
Asgjë nuk na shqetëson në këtë proces. Se kush është Sali Berisha, çfarë roli ka në PD, nuk ia tregon dot askush në Republikën e Shqipërisë. Historia e PD ka një emër, Sali Berisha. Ka pafund njerëz që kanë hedhur gurë mbi Sali Berishën, sharje e shpifje pafund, nuk na shqetëson kjo. Kemi vetëm një betejë, për ta bashkuar PD-në, për ta bërë më të fortë dhe fituese. Sot është e përçarë, vetëm fituese nuk është. Ky është shqetësimi i 'Foltores', jo sa flasin e akuzojnë. 

Çim Peka: Pas traumës që pësoi PD me dorëzimin e mandatit nga Mark Marku, a mund ta durojë PD-ja edhe një largim të Agron Gjekmarkajt? 
Flamur Noka:
Këto janë pyetje që duhet t'ia bëjmë ish-kryetarit, jo PD-së. 

Çim Peka: Çfarë prisni nga takimi Dibrës? 
Flamur Noka:
Prioriteti numër një i foltores janë vetëm takimet me demokratët. Ndaj nesër Sali Berishën e gjithë Dibra do të dalë në shesh, do ta presë dhe do t'i japë mbështetje Foltores dhe Sali Berishës. 

Çim Peka: A do të ndjehet mungesa e Xhelal Mziut?
Flamur Noka
: Unë nuk paragjykoj askënd, nuk e di kush do të vijë e kush jo. Dera për çdo demokrat është e hapur, ne kërkojmë t'i bashkojmë dhe jo t'i ndajmë. Ka shpresë dhe elektrizim për një PD të bashkuar. Takimi është në orën 17:00.