Deputetja 'gozhdon' Bashën: Nuk na përjashtoni dot për një fjalë goje! Për Berishën vendos baza, jo ne këtu

Deputetja Albana Vokshi ka replikuar sot me kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe deputeten Flutura Açka, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat. 

Syri.net siguron replikën e plotë të Vokshit. 

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësinë ka deklaruar se mbledhjet e deputetëve nuk duhet të kthehen në gjyqe politike dhe se ligjvënësit demokratë duhet të kenë lirinë e fjalës. 

Gjithashtu, Vokshi ngriti shqetësimin e shënjestrimit të përfaqësuesve të PD që ndjekin Foltoret e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas saj, "Berisha është lideri historik, është anëtar i Këshillit Kombëtar pra çfarë të keqe ka që të ndjekim 'Foltoret'?" . Sipas saj, diskutimi nëse i duhet Berisha PD-së apo jo, nuk bëhet në mbledhjet e mbyllura, pasi kjo është një çështje që i takon anëtarësisë demokrate. 

Ajo tha më tej gjatë diskutimeve në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar se deputetët nuk duhet të përjashtohen për një fjalë goje (duke iu referuar rastit të Flamur Nokës), pasi PD është parti e fjalës së lirë dhe kushdo mund të shprehë mendimin e tij. 

Reagimi i Vokshit

Ndjej nga diskutimet një tentativë ndarje mes deputetëve “të rinj” e “të vjetër”. Nuk bie dakort me këtë. Nuk duhet të ekzistojë fryma e ndarjes. Jemi të gjithë bashkë, një ekip. kjo tentativë ndarje që po bëhet këtu nuk na përket.  

bëjmë retorikë këtu, në një farë mënyre, që të jemi bashkë. Bëjmë sikur nuk e dimë sa e vështirë është situata në terren. Ka ardhur nga lart por reflektohet poshtë më shumë se lart. 

Grupi Parlamentar, Kryesia e Grupit Parlamentar, nuk duhet të kthehen në gjyqe politike. Gjithsecili duhet të ketë lirinë e fjalës. Ne jemi Parti Demokratike, me shprehje mendimi të lirë. Nuk duhet të kemi frikë. ky është forumi që ne duhet të flasim. Dhe më mirë të flasim këtu Brenda, t’I themi gjërat në sy, se sa të dalim e të flasim prapa krahëve apo nëpër tavolina, nën tavolina e të bëjmë intriga. 

Sot është ditë e mirë sepse po i themi disa të vërteta në sy, flasim hapur dhe flasim këtu. Pa frikën që mund të përjashtohemi për një fjalë goje apo mund të bllokohemi apo shantazhohemi. Jo! Unë jam kundër!

Nuk bie dakort me motivacionin e shkarkimit (të Nokës), sepse unë gjykoj që duhet të jemi të lirë për të shprehur mendimin tonë. 

Pjesa e “Foltores”, mendoj që gjithësecili prej nesh është I lirë të zgjedhë të shkojë 'Foltore' apo jo? Z. Berisha është thënë që është përjashtuar përkohësisht nga Grupi Parlamentar, por ai është lideri historik, është anëtar i Këshillit Kombëtar pra çfarë të keqe ka që të ndjekim 'Foltoret'? Pse duhet të gjykohemi apo të bëhemi armiq pse dikush shkon e dikush nuk shkon? Është zgjedhje! Jemi Parti Demokratike!.

Dhe e fundit: pyetja që shtroi Flutura a ka nevojë Partia Demokratike për Berishizmin apo jo? Është një pyetje që nuk duhet të shtrohet këtu, sepse nuk vendosim ne këtu për këtë. Flutura tha që do të vendosim ne nëse i duhet Partisë Demokratike berishizmi. Jo! Vendos baza e Partisë Demokratike! Është një çështje që nuk duhet shtruar fare këtu, sepse ne duhet të flasim për ndryshimet Kushtetuese që janë të rëndësishme apo axhendën parlamentare. Pjesa tjetër i takon bazës.