Investim prej 900 milionë eurosh, shikoni se si do duket stadiumi i ri i Barcelonës

Drejtuesit e Barcelonës, të udhëhequr nga presidenti Joan Laporte, kanë sugjeruar që klubi të fillojë projektin "Espai Barca" prej një miliardë e gjysmë euro.

Klubi katalanas e ka rritur borxhin e përgjithshëm në 1.35 miliardë euro, por kjo nuk e përjashton shpalljen e investimeve të mëdha që do t’i sillnin fitime Barcelonës në planin afatgjatë.

Barcelona ka planifikuar të ndërtojë kompleksin e ri prej vitesh, teksa tashmë klubi po kërkon miratimin nga asambleja për të kërkuar një hua prej një miliard e gjysmë euro për të ndërtuar kompleksin të ri sportiv dhe biznesi.

Edhe pse projekti fillestar kushtonte 600 milionë euro dhe duhej të përfundonte këtë vit, mirëpo kostot janë rritur në 1.5 miliardë euro.

Rindërtimi i stadiumit do të kushtojë rreth 900 milionë euro dhe pjesa tjetër e parave do të shpenzohen për një stadium të ri për akademinë dhe infrastrukturën shoqëruese.

Stadiumi Camp Nou do të ketë një kapacitet prej 105,000 spektatorë pas rindërtimit, të cilët do të kenë më shumë hapësirë ​​dhe rehati sesa tani.

Nëse asambleja miraton këtë plan ambicioz, Barcelona do të fillojë ndërtimin verën e ardhshme dhe punimet planifikohen të përfundojnë në vitin 2025.