Nga 0-2 në 3-2, Milani bën përmbysjen e ‘çmendur’ ndaj Veronës në ‘San Siro’

Milani ka siguruar sot një fitore shumë të vuajtur në Serinë A përballë Veronës, në një sfidë ku për shumë minuta dukej sikur do të vinte humbja e parë e kuqezinjve në kampionat.

Skuadra e Piolit në mënyrë të papritur e pa vetën në disavantazh pas 7 minutash, kur Kaprari mposhti Tatarusanun me një sulm të shpejtë.

Më pas, ishte Barak ai i cili dyfishoi shifrat me penallti në minutën e 24-t, duke tronditur kuqezinjtë të cilët dukeshin larg formës së zakonshme.

Por në pjesën e dytë ishte në fushë një Milan tjetër, shumë më agresiv, i cili gjeti golin që hapi ndeshjen me anë të Zhiru, i kthyer përsëri mes titullarëve.

Verona bëri hapa mbrapa duke menduar të administronte avantazhin, por gaboi gjithçka brenda 3 minutash.

Fillimisht shkaktoi penallti të cilën e transformoi me saktësi Kesi, e pastaj Gunter çoi topin në mënyrë qesharake në rrjetën e portës së tij, duke i dhënë avantazhin Milanit.

Në fund kishte drithërima në portën kuqezi, por Tatarusanu bëri ndërhyrje të sigurta duke ruajtur katërkëndorin e tij, për të marrë këto tre pikë që kthejnë Milanin në kreun e renditjes së kampionatit.