VIDEO-SYRI TV/ Tenderi i uniformave të policisë, SPAK mbyll hetimet për zyrtarët e ministrisë

Shkelja e barazisë në tendera është akuza që SPAK ka dërguar në gjykatë 10 zyrtarët dhe ish zyrtarët të Ministrisë së Brendshme të përfshirë në skandalin e uniformave të policisë. Sipas dosjes së dorëzuar në organin gjykues, prokuroria e Posaçme sqaron se të akuzuarit kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik te tenderit me vlere, 2.8 miliardë lekë.

Nga SYRI TV

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbyll hetimet dhe çon në gjykim 10 zyrtarët dhe ish zyrtarët të Ministrisë së Brendshme, të përfshirë në skandalin e uniformave të policisë. Ata akuzohen për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.

SPAK hetoi mbi procedurën e prokurimit për blerjen dhe shpërndarjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt ‘Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit’, për 4 vjet.

Sipas prokurorisë së posaçme, ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari së bashku me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali akuzohen  për shkleje të barazisë në tendera.

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga titullari i Organit Qendror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cenimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.