Shqipëria drejt ëndrrës së madhe, të gjithë presin festë në fund

Në “Air Albania” luhet ndeshja Shqipëri-Poloni . Do të jetë një stadium i tejmbushur dhe një atmosferë elektrizuese për t’i krijuar klimën e duhur një kombëtareje që ka pushtuar zemrat dhe mendjen e gjithë shqiptarëve. Polonia është një kundërshtar i vështirë, nuk ka Bonjekun që ngeli në histori, kur na ndëshkonte në një pozitë të ngjashme në 85-ën, por ka Lewandowskin, e megjithatë, s’ka emër që tremb këtë skuadër.

Edi Rejas i duhet të bëjë llogaritë pa një ndër kolosët e mbrojtjes, Gjimshitin, pa Çekiçin e skualifikuar dhe Balajn e dëmtuar, e megjithatë është e lehtë të imagjinohet se në fushë do të jenë 11 luanë. Kush nuk do të donte ta luante një ndeshje si kjo! Një ndeshje të destinuar për të hyrë në histori.

Fitoret radhazi dhe rritja konstante e një kombëtareje me shumë talente të rinj, natyrisht Broja mbi gjithë të tjerët, dhe me pjekurinë e eksperiencës së Rejas në fushë diktojnë se Shqipëria është gati të bëjë hapin e madh, atë për të përfunduar për të parën herë në vendin e dytë në fushatën kualifikuese të një Botërori.Kuqezinjtë mbartin ëndrrat, dëshirat shpresën e një kombi të tërë.