Lufta e çuditshme për fanellën e Gavit: Talenti refuzoi t’ia jepte Verratit, por roja i sigurisë për pak sa...

Pablo Paez Gavi bëri debutimin me kombëtaren spanjolle në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve kundër Italisë dhe hyri në historinë e “La Roja” si lojtari më i ri në moshë që debuton me kombëtaren, vetëm 17 vjeç e 62 ditë.

 Gavi zhvilloi një ndeshje të mrekullueshme dhe i mahniti të gjithë, por pas ndeshjes, ndodhën një sërë situatash të çuditshme që lidheshin me fanellën e tij.

Trajneri Luis Enrique nuk e fshehu kënaqësinë dhe u impresionua me mesfushorin 17-vjeçar të Barcelonës i cili zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në “San Siro”, teksa mori duartrokitjet e tifozëve dhe familjarëve në tribuna.

Pas ndeshjes, Marco Verratti, i cili është idhulli i Gavit, dëshironte të shkëmbente fanella me spanjollin, por Gavi i tha se i kishte premtuar se do t'i jepte fanellën miqve që kishte në tribuna.

Në vend të kësaj, mesfushori i Barcelonës e hodhi fanellën nga fusha në tribuna ku ishin tre shokët e tij, por fanella u kap nga një roje sigurie, i cili më pas refuzoi t’ua jepte.

Miqtë e Gavit nuk e besuan atë që po ndodhte, por nuk hoqën dorë nga fanella. Ata thirrën policinë që ishte në stadium, dhe vetëm pasi u shfaq shefi i sigurimit dhe pasi vërtetoi historinë, ai më në fund i dorëzoi fanellën me numrin nëntë tre spanjollëve.