Spanja 'hakmeret' ndaj Italisë dhe kalon në finalen e Ligës së Kombeve

Spanja kalon në finalen e Ligës së Kombeve. Iberikët u “hakmorën”  ndaj Italisë për eliminimin nga gjysmëfinalet e Kampionatit Europian duke fituar me rezultatin 2-1 në “San Siro” dhe duke ndalur ecurinë pozitive të azurrëve në 37 ndeshje pa humbje.

“La Roja” e mbylli në avantazh të dyfishtë pjesën e parë, falë dy golave të Fernan Torres minutat 17-të dhe 45+1.

Edhe pse me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Leonardo Bonucit në minutën e 41’, shpresat për italianët u “zgjuan” në minutën e 83-të, pas golit të shënuar nga Lorenzo Pellegrini, pas një kundërsulmi vrastar. Chiesa rrëmben një top nga mesi i fushës dhe asiston për lojtarin e Romës, i cili nuk gabon me portën e boshatisur.

Por vetëm kaq, pasi ndeshja përfundoi me fitoren e Spanjës, që tashmë do të pres rezultatin e sfidës Francë – Belgjikë nesër në mbrëmje për të zbuluar kundërshtatin në finalen e Ligës së Kombeve.