Paralajmëron ministri: Kina mund të bëjë një pushtim të plotë të Tajvanit deri në vitin 2025

Kina do të jetë e aftë të bëjë një pushtim të plotë të Tajvanit deri në vitin 2025, tha ministri i mbrojtjes i ishullit, Chiu Kuo-cheng, i cili i përshkroi tensionet aktuale mes dy vendeve si më të këqijat në 40 vitet e fundit.

Duke folur për “China Times”,Chiu tha se Kina ishte e aftë tani ta pushtojë Tajvanin, por nuk mund ta bëjë për disa arsye.

"Kina ka kapacitet tani, por nuk do të fillojë një luftë me lehtësi, duke pasur parasysh shumë gjëra të tjera, "tha ai.

Pekini dërgoi rreth 150 avionë luftarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit gjatë katër ditëve të fundit, duke kërcënuar hapur sovranitetin e Tajvanit.

Pekini pretendon se Tajvani është një provincë e Kinës dhe është zotuar se do ta rimarrë atë, me forcë nëse është e nevojshme, dhe akuzon qeverinë e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike se është separatiste. Qeveria e Tajvanit thotë se është tashmë një komb sovran pa nevojë për të shpallur pavarësinë.

Të martën presidenti i Tajvanit Tsai Ing-wen shkroi se Tajvani nuk do të ishte "aventurier", por do të bënte "gjithçka që duhet" për të mbrojtur veten.