‘Facebook po dobëson demokracinë’/ Dëshmia ‘bombë’ në Senatin e SHBA

Një ditë pasi Facebook pësoi një nga momentet më të vështira në histori, për shkak se rrjetet sociale dolën offline për më shumë se 7 orë, një tjetër goditje vjen për kompaninë gjigante. Ish-drejtuesja e kësaj kompanie, Frances Haugen, e cila prej kohësh ka kritikuar Facebook, ka dhënë një dëshmi bombastike përpara Senatit Amerikan.

Bilbilfryrësja 37-vjeçare, Haugen, ka dëshmuar në kuadër të një seance dëgjimore për sigurinë e internetit.

Përpara senatorëve, ajo tha se ishte bashkuar me kompaninë Facebook si menaxhere produktesh për shkak se besonte se kjo kompani kishte potencialin për të nxjerrë më të mirën nga secili prej nesh.

“Por jam këtu për shkak se besoj se produktet e Facebook dëmtojnë fëmijët, thellojnë ndarjet, dobësojnë demokracinë dhe shumë më tepër,” tha ajo.

Më tej erdhi deklarata e fortë: “Drejtuesit e FB dinë se si të bëjnë produkte me të sigurta, por nuk duan”.

“Ata kanë vendosur përfitimet përpara njerëzve,” tha ajo. Sipas saj, Facebook shënjestron qëllimisht adoleshentët dhe fëmijët. Haugen tha se mungesa e transparencës për algoritmet e Facebook e bën të pamundur që të rregullohet puna e kësaj kompanie.

Ajo theksoi më tej se kompania mbështetet te inteligjenca artificiale për të moderuar përmbajtjen, për shkak se kjo është më e lirë. Por kjo ka shtuar keqinformimet dhe urrejtjen në rrjet.

Senatorët e kanë krahasuar gjigantin Facebook me kompanitë e mëdha të cigareve dhe kanë sugjeruar se duhet i njëjti rregullim si me rastin e duhanit.

Senatorët republikanë dhe demokratë kanë shprehur shqetësim në seancë për ndikimin që Facebook dhe Instagram kanë mbi shëndetin mendor të adoleshentëve.

Facebook i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se shpenzojnë shuma të mëdha parash për sigurinë dhe masa të tjera.