Kosova dhe Serbia arrijnë dakordësinë për targat, ja marrëveshja mes palëve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është arritur një marrëveshje në parim me palën serbe për zgjidhjen e situatës së krijuar me targat e makinave.

Pas disa orë bisedimesh të ndara me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, për rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë, zoti Bislimi tha se është hartuar një projekt i marrëveshjes, pjesë të së cilës ende nuk janë miratuar nga Beogradi.

Ai tha se “nga e hëna Kosova dhe Serbia do të avancojnë në përdorimin e stikersave (fletëngjitëse) në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë që të kemi trajtim të barabartë”. Kjo tha ai, është masë e përkohshme dhe “do të formohet grup punues për gjetjen e një zgjedhje të përhershme për lëvizjen e lirë të makinave brenda gjashtë muajsh”.

Zoti Bislimi tha se sipas projekt-marrëveshjes, të shtunën forcat e KFOR-it do të zëvendësojnë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare ne veri dhe njëkohësisht duhet të hiqen barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë.